Aktualitet Editorial

Gen Z dhe revolta kundër përçmimit

Gen Z dhe revolta kundër përçmimit Nadia Elbasani
Gen Z dhe revolta kundër përçmimit – Nadia Elbasani

Pikat kryesore të këtij opinioni:

  1. “Brezi i patatinave” është etiketimi përçmues që i është përplasur vazhdimisht në fytyrë Gen Z, por ata që e përçmojnë harrojnë se ky brez është edhe pasqyrim i sistemit që brezat e mëparshëm kanë ndërtuar.
  2. Një vend mund të raportojë rritje ekonomike dhe investime miliardëshe, por këto shifra kanë pak kuptim për të rinjtë që ende presin ujë të pijshëm dhe transport publik normal. Gen Z nuk impresionohet lehtësisht nga shifrat e suksesit kur problemet më të zakonshme të përditshmërisë vazhdojnë të mbeten pa zgjidhje. Përpara se të gjykojmë një brez për mënyrën se si flet, artikulon mendimet apo proteston, duhet të shohim edhe përgjegjësinë e atyre që kanë ndikuar në krijimin e problemeve që ky brez ka sot.

Një vend mund të raportojë rritje ekonomike apo të krenohet me investime miliardëshe, por kur qytetarët vazhdojnë të pyesin nëse do të kenë ujë të pijshëm apo transport publik si në një vend normal, diçka thelbësore nuk funksionon. Kjo është kontradikta që politika shpesh refuzon jo vetëm ta kuptojë, por edhe ta zgjidhë. Suksesi makroekonomik mund të prodhojë tituj të bukur lajmesh, por nuk prodhon automatikisht besim politik dhe as përmirësim në xhepat e qytetarëve.

Gen Z është një brez që nuk impresionohet lehtësisht nga statistikat e suksesit ekonomik, sidomos kur shifrat që tregojnë përparim nuk përputhen me realitetin që përjeton çdo ditë.

Edhe protestat e të rinjve në Shqipëri duhen kuptuar përtej ngjarjeve që i nxisin. Fillimisht, për t’i kuptuar dhe zgjidhur problemet, duhet parë edhe historia e tyre, mënyra si janë krijuar dhe përse kanë mbetur pa zgjidhje.

Të fajësosh rrjetet sociale për çdo revoltë është shpesh mënyra më e lehtë për të shmangur përgjegjësinë dhe për të mos parë në sy arsyet që e kanë shkaktuar atë.

Megjithatë, Gen Z vazhdon të përçmohet me etiketime si “brezi i TikTok-ut” apo “brezi i patatinave”, sikur përdorimi i teknologjisë, memet dhe sarkazma të mjaftonin për të vënë në dyshim inteligjencën e një brezi të tërë. Ironia kërkon mprehtësi, ndërsa një meme e goditur mund të përmbajë më shumë kritikë sesa një fjalim i gjatë politik. Aq më tepër sot, kur edhe fjalimet më serioze shkruhen me AI, shpesh pa mundimin për t’i dhënë të paktën argumentet personale, që teknologjia të shërbejë thjeshtë për të rritur efikasitetin.

Të mos kuptosh gjuhën e një brezi është kufizim, por ta përçmosh vetëm sepse nuk e kupton, është gabim.

Gen Z ka ndryshuar shpejtësinë, gjuhën dhe infrastrukturën digjitale përmes së cilës pakënaqësia mund të shndërrohet në mobilizim kolektiv. Një brez i mësuar të komunikojë me shpejtësinë e internetit përballet me institucione që vazhdojnë të reagojnë me ritmin e burokracisë. Ndërsa njëra palë kërkon përgjigje dhe zgjidhje, brezi vjetër shpesh merret me mënyrën se si është shprehur kërkesa sesa me përmbajtjen e saj.

Na pëlqen apo jo, Gen Z është rritur dhe kërkon të dëgjohet. Përçmimi nuk e bën një brez më të bindur, por vetëm e thellon hendekun mes tij, ndaj mosdëgjimi dhe mosreagimi në kohë prodhojnë një rini të revoltuar.

Nuk mund të kërkosh mbështetjen e një brezi që vazhdimisht e përçmon dhe nuk mund të kërkosh as besimin e tij kur, në vend që t’i përgjigjesh pakënaqësisë me veprime konkrete, zgjedh të tallesh me mënyrën se si Gen Z e shpreh atë.

Gen Z mund të ketë një mijë probleme, ashtu si Millennials dhe çdo brez tjetër para tyre, por këto probleme nuk lindën nga asgjëja. Ato janë edhe produkt i një sistemi arsimor, ekonomik dhe shoqëror që brezat e mëparshëm kanë ndërtuar. Prandaj, përpara se të gjykojmë një brez për mënyrën se si flet, duhet të kuptojmë kushtet në të cilat janë rritur. Përçmimi i një brezi nuk zgjidh asnjë problem, por vetëm i fajëson ata për problemet që në fakt i  kanë krijuar brezat e mëparshëm.