Përmbledhje:
- Për të kuptuar drejtimin që po marrin ngjarjet, ndonjëherë duhet të kthehemi pas dhe të lidhim me njëra-tjetrën ato që fillimisht na janë dukur si episode të izoluara, të parëndësishme, madje edhe qesharake. Sepse ajo që më vete duket si një incident i zakonshëm, kur shihet në lidhje me ngjarje të tjera, mund të zbulojë një prirje shumë më shqetësuese dhe një qëllim që në fillim nuk ishte i dukshëm.
- Një sulm kibernetik mund të jetë prova e parë e forcës që një shtet kërkon t’i tregojë një shteti tjetër, për të zbuluar dobësitë e tij dhe për ta paralajmëruar për atë që mund ta presë nesër. Nga aeroportet evropiane te sistemet bankare e frigoriferët e supermarketeve, ngjarjet e fundit tregojnë se teknologjia mund të shërbejë si mjet presioni, për të shkaktuar dëme ekonomike, për të përhapur frikë dhe për të testuar qëndrueshmërinë e institucioneve pa qenë nevoja për një përballje ushtarake.
- Në një Europë të përfshirë nga tensionet gjeopolitike, sulmet kibernetike mund të shërbejnë si një mënyrë për të testuar partneritetet e shteteve, për të matur aftësinë e tyre për të reaguar dhe për të treguar forcë pa hyrë në një konflikt të hapur. Edhe Shqipëria, e cila është përballur me sulme kibernetike, rrjedhje të të dhënave dhe kërcënime elektronike ndaj institucioneve, ka arsye për të qenë vigjilente. Sepse, edhe pse ende nuk është provuar se incidentet e fundit janë pjesë e një fushate të koordinuar të luftës hibride, siguria e një shteti nuk mund të presë që kërcënimi të provohet përpara se të marrë masa për ta parandaluar.
Për të kuptuar se në ç’drejtim po shkojnë ngjarjet, ndonjëherë duhet t’i lidhim me njëra-tjetrën ato ndodhi që, në fillim, na janë dukur të izoluara, të parëndësishme e herë pas here edhe qesharake. Ndonjëherë, vetëm kur i vendosim episodet pranë njëri-tjetrit, kuptojmë se çfarë mund të fshihet pas tyre.
Në shtator të vitit 2025, një sulm kibernetik paralizoi sistemet e regjistrimit të pasagjerëve në disa aeroporte evropiane. Në tetor 2026, hakerët ndërhynë nga distanca në frigoriferët e rreth 700 supermarketeve franceze, duke shkatërruar ushqime me vlerë miliona euro. Po atë muaj, një sulm tjetër ndaj grupit Ahold Delhaize solli dëme deri në 250 milionë euro shitje të humbura. Në nëntor, ndërhyrjet arritën deri te pajisjet ku ruhej plazma e gjakut për pacientët në Francë, ndërsa një banke franceze iu morën rreth 100 milionë euro përmes transfertave mashtruese. Ndërkohë, mbi 30 fluturime evropiane u përfshinë nga kërcënime për bomba, duke detyruar avionë të devijonin dhe aeroportet të aktivizonin protokollet e emergjencës.
Do të ishte e nxituar t’i atribuoheshin të gjitha këto ngjarje një armiku të vetëm. Megjithatë, Franca ka akuzuar tashmë një njësi kibernetike të lidhur me Gardën Revolucionare iraniane për sulmet kibernetike. Dhe pikërisht këtu lind shqetësimi më i madh, sepse sulmet nuk shërbejnë domosdoshmërisht vetëm për të shkaktuar dëme, por mund të përdoren edhe për të zbuluar dobësi, për të matur reagimin e institucioneve dhe për të përgatitur goditje të ardhshme. Në luftën hibride, një sulm i vogël sot mund të jetë testi i një sabotimi më të madh nesër.
Shqipëria nuk ka luksin t’i shohë këto zhvillime nga larg. Jemi gjeografikisht pjesë e Europës dhe që prej shtatorit 2022 kemi ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pas një sulmi kibernetik që qeveria shqiptare ia atribuoi Teheranit. Për më tepër, rrjedhjet masive të të dhënave të vitit 2021 ekspozuan informacionin personal të qindra mijëra shqiptarëve, të dhëna që, nëse vazhdojnë të qarkullojnë në tregjet e paligjshme digjitale (dark web), mund të shfrytëzohen për mashtrime dhe sulme të tjera.
Ndërkohë, vetëm nga gushti deri në tetor 2026, institucione shqiptare, nga SPAK-u, gjykatat, bashkitë, ministritë dhe Banka e Shqipërisë, u përballën me disa valë emailesh kërcënuese për bomba, njëra prej të cilave u cilësua zyrtarisht nga AKSK-ja si fushatë e koordinuar për shkaktimin e kaosit. Krahas tyre, qytetarët vijojnë të shënjestrohen nga mesazhe phishing që imitojnë Postën Shqiptare, Policinë apo e-Albania për t’u marrë të dhënat personale dhe bankare. Këto ngjarje nuk provojnë se Shqipëria është objektiv i një operacioni të përbashkët hibrid, por tregojnë se mjetet për të cenuar sigurinë, ekonominë dhe besimin publik janë tashmë pjesë e një realiteti tjetër.
Europa, e gjendur mes përplasjeve të mëdha gjeopolitike, mund të jetë duke përjetuar një tjetër formë matjeje forcash, ku teknologjia shërben njëkohësisht si armë, paralajmërim dhe terren prove. Nuk është provuar se këto incidente përbëjnë një fushatë të vetme lufte, por siguria e një shteti nuk mund të presë derisa kjo të provohet përmes një katastrofe.
