ZeroDay Blog Aktualitet A po i çon teknologjia fëmijët drejt ankthit dhe depresionit?
Aktualitet Editorial Sociale

A po i çon teknologjia fëmijët drejt ankthit dhe depresionit?

Përmbledhje

  1. Unë besoj te fuqia e teknologjisë për të zgjeruar dijen dhe për të zgjidhur në pak sekonda probleme që dikur kërkonin ditë të tëra, por, pikërisht sepse e njoh mënyrën se si ndërtohen produktet digjitale, nuk mund ta konsideroj telefonin në duart e një fëmije njësoj si në duart e një të rrituri, kur përballë një mendjeje ende në zhvillim qëndrojnë kompani me ekspertizë në psikologjinë njerëzore,të projektuar për të tërhequr vëmendjen dhe për të ndikuar në sjelljen e përdoruesve, ndaj këto produkte nuk duhet të projektohen njësoj për fëmijët dhe të rriturit.
  2. Një fëmijë mund të mos e kuptojë se pas një komenti mizor mund të fshihet kushdo dhe se lumturia perfekte në rrjetet sociale mund të jetë vetëm një shfaqje, ndaj rrezikon t’i marrë gjykimet e të tjerëve si të vërteta; megjithatë, zgjidhja nuk është ta izolojmë nga teknologjia deri në moshën 16-vjeçare dhe më pas ta hedhim papritur në botën digjitale, por ta mësojmë gradualisht si ta përdorë, si të mbrojë privatësinë, si të përballojë rreziqet dhe si ta dallojë realitetin nga ajo që i shfaqet në ekran.
  3. Edhe inteligjenca artificiale mund të jetë një mjet i jashtëzakonshëm, por, nëse fëmija ia delegon çdo pyetje, vendim apo vështirësi, rrezikon të mos zhvillojë aftësinë për të menduar, për të vendosur dhe për t’i përballuar vetë sfidat.

Në radhë të parë, unë besoj tek fuqia e teknologjisë për të zgjeruar dijen dhe për të zgjidhur në pak sekonda probleme për të cilat dikur nevojitej shumë më tepër kohë. Por, pikërisht sepse e njoh teknologjinë dhe mënyrën se si ndërtohen produktet digjitale, nuk fle me përrallën se telefoni në duart e një fëmije është thjesht një mjet neutral.

Fatmirësisht, kjo përrallë po vihet sot në diskutim publik në mbarë botën, edhe pse transparenca për pasojat e mundshme duhej të kishte nisur shumë më herët, së paku që në vitin 2006. Që atëherë filloi një transformim, pasojat e të cilit brezi im i përjetoi në një kohë kur askush nuk e kuptonte plotësisht rëndësinë e tij. Telefoni na jepej si shpërblim pas një jave të gjatë shkolle, si shenjë besimi apo si një lloj triumfi shkollor.

Një telefon është një pajisje e lidhur vazhdimisht me sisteme të projektuara për të tërhequr vëmendjen dhe për të ndikuar në sjelljen e përdoruesit. Ky ndikim përforcohet nga mekanizma të sofistikuar për ta mbajtur përdoruesin sa më gjatë përpara ekranit.

Problemi është se fëmija nuk e di nëse pas një komenti mizor ndodhet një bashkëmoshatar i pasigurt, një i rritur i frustruar apo dikush që argëtohet duke lënduar të tjerët. Ai sheh vetëm gjykimin e shkruar dhe, kur dhjetëra njerëz i bashkohen të njëjtit sulm në rrjetet sociale, telefoni shndërrohet në një turmë që fëmija e merr me vete në dhomën e gjumit. Ekrani mund të fiket, por fjalët vazhdojnë të zmadhohen në mendjen e tij, duke ushqyer pasigurinë, izolimin dhe ankthin.

Një i rritur mund ta kuptojë se fotografia perfekte është zgjedhur mes pesëdhjetë fotografive, se trupi mund të jetë tjetërsuar përmes filtrave dhe se lumturia online mund të jetë teatër. Një fëmijë nuk e ka domosdoshmërisht këtë mburojë psikologjike. Ai e krahason jetën e vet të papërpunuar me versionin e kuruar të jetës së të tjerëve dhe mund të arrijë në përfundimin brutal se të gjithë janë më të bukur, më të pasur, më të shoqërueshëm dhe më të lumtur se ai.

Kur bëhet fjalë për të miturit, nuk mund të përdoren të njëjtët mekanizma agresivë marketingu dhe projektimi që përdoren për të rriturit. Fëmijët nuk kanë të njëjtën aftësi për ta kuptuar manipulimin, për ta relativizuar gjykimin e të tjerëve dhe për ta dalluar jetën reale nga shfaqja e kuruar në rrjetet sociale.

Në këtë diskutim nuk dua të lë jashtë as modelet e inteligjencës artificiale, të cilat, për hir të së vërtetës, vazhdojnë të lihen mënjanë në emër të inovacionit. Ato mund të jenë mjete të jashtëzakonshme, por për një të mitur mund të kthehen në burim varësie emocionale dhe intelektuale, veçanërisht kur përdoren si zëvendësim për prindin, shokun apo psikologun.

Një fëmijë mund të krijojë besim të tepruar te një sistem që flet me siguri, por që mund të gabojë, të mos e kuptojë gjendjen e tij emocionale ose t’i ofrojë përgjigje pa e njohur realisht kontekstin e jetës së tij. Rreziku nuk qëndron vetëm tek ajo që i thotë inteligjenca artificiale, por edhe tek aftësitë që fëmija nuk arrin të zhvillojë kur ia delegon asaj çdo pyetje, vendim, detyrë apo përballje të vështirë.

Sigurisht këto nuk janë shkaku i vetëm i depresionit, ankthit apo vetëvrasjes. Familja, trauma, bullizmi, izolimi dhe predispozita psikologjike kanë peshën e tyre. Megjithatë, kompleksiteti i problemit nuk mund të përdoret për të shfajësuar një industrie që ende nuk ka krijuar një ndarje bindëse ndërmjet mënyrës se si produktet e saj u ofrohen të miturve dhe mënyrës se si u ofrohen të rriturve.

Si një njeri që e do teknologjinë dhe beson në potencialin e saj, mendoj se problemi nuk është vetëm sa kohë qëndron fëmija në telefon, por edhe çfarë aplikacionesh përdor, si janë projektuar ato, çfarë përmbajtjeje i shfaqet dhe nëse përvoja e një të mituri brenda një aplikacioni ndryshon realisht nga ajo e një të rrituri.

Nuk jam dakord as me izolimin e plotë të fëmijëve nga rrjetet sociale dhe inteligjenca artificiale deri në moshën 15 apo 16 vjeç, për t’u dhënë më pas akses të menjëhershëm dhe të pakufizuar. Kjo do të ishte njësoj si ta mbaje një fëmijë larg ujit për 16 vjet dhe më pas ta hidhje në oqean me pritshmërinë se do të dinte të notonte.

Fëmijët nuk mbrohen thjesht duke ua ndaluar teknologjinë, por mbrohen duke u mësuar gradualisht si ta përdorin, si të mbrojnë privatësinë e tyre, si të përballojnë rreziqet dhe si të dallojnë realitetin nga ajo që u shfaqet në ekran.

Rruga më e arsyeshme është ajo e mesme, ku teknologjia diferencohet për përdoruesit e mitur, aksesi zgjerohet gradualisht dhe edukimi digjital fillon përpara përdorimit të pakontrolluar. Kjo përgjegjësi nuk mund t’u lihet vetëm prindërve, por u takon edhe kompanive Big Tech, të cilat duhet të projektojnë platforma dhe masa mbrojtëse të posaçme për të miturit.

Exit mobile version