Përmbledhje:
- Krimi ka përvetësuar teknologjinë si mjet për të zgjeruar pushtetin dhe për të fshehur gjurmët e tij, por shpesh pa e kuptuar se pikërisht ajo mund të kthehet në mjetin që e tradhton.
- Paradoksi i digjitalizimit të krimit qëndron pikërisht në faktin se teknologjia që i mundëson të organizohet/fshihet më mirë është po ajo që mund ta ekspozojë, me kushtin e vetëm që hetimi të mos kufizohet në botën fizike, por të shtrihet edhe në hapësirën digjitale ku krimi tashmë organizohet, komunikon dhe lë gjurmë.
- Pa investime në ekspertizën digjitale, problemi nuk është se kriminelët po bëhen më të zgjuar, por se hetimi rrezikon të mbetet arkaik përballë një krimi që modernizohet vazhdimisht.
Krimi nuk është më ai që ka qenë, ndonëse qëllimet e tij kanë mbetur po ato. Ka ndërruar mjetet, duke shfrytëzuar teknologjinë për të vepruar më shpejt, me më pak njerëz dhe me skema më të komplikuara të pastrimit të parave. Zgjerimi i veprimtarive kriminale ka sjellë pashmangshmërisht modernizimin e mjeteve të përdorura, sepse një organizatë që vepron në disa shtete, lëviz para dhe koordinon dhjetëra njerëz nuk mund të mbështetet më vetëm te mënyrat tradicionale të komunikimit.
Por modernizimi i mjeteve nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe kuptimin e plotë të tyre nga mendja kriminale që i përdor.
Krimi sot kërkon më shumë inteligjencë organizative se më parë dhe kjo inteligjencë duhet të shtrihet edhe në teknologji, një fushë ku organizatat kriminale kanë treguar vazhdimisht se mund të gabojnë. Një anë është të dish si përdoret një aplikacion dhe krejt tjetër anë është të kuptosh në çfarë rrethanash mund të ekspozojë përdoruesit e vet.
Shpesh, aplikacionet e komunikimit instalohen me të njëjtën logjikë me të cilën blihet një mall i zakonshëm, përmes rekomandimit të dikujt të besuar, reputacionit që ka krijuar produkti ose premtimeve që bën vetë kompania që e shet.
Madje, një nga dobësitë më të mëdha të krimit që kërkon të digjitalizohet është pikërisht varësia nga njerëzit që e kanë ndërtuar teknologjinë. Pas një aplikacioni qëndrojnë programues dhe administratorë, njerëz që nuk kanë domosdoshmërisht asnjë lidhje me botën kriminale dhe që mund të përballen me hetime, kërkesa ligjore për informacion apo presione të ndryshme. Kështu, krimineli që mendon se kontrollon komunikimin e tij mund ta ketë vendosur sigurinë në duart e njerëzve që, sipas stereotipit të zakonshëm, njihen më shumë si nerd të teknologjisë sesa si personazhe të botës së krimit.
Megjithatë, sa më shumë zgjerohet territori i veprimtarisë kriminale, aq më e domosdoshme bëhet teknologjia. Mirëpo, nuk duhet harruar se teknologjia, ndonëse e bën krimin më të shpejtë, më të organizuar dhe më të fshehtë, shpesh është pikërisht ajo që e tradhton.
Teknologjia mund të krijojë mundësi të jashtëzakonshme hetimi, por ato mbeten pothuajse të pavlera nëse institucionet nuk kanë specialistë të aftë t’i identifikojnë dhe shfrytëzojnë. Një gjurmë digjitale kërkon njohuri për t’u zbuluar dhe kujdes procedural për t’u kthyer në provë të përdorshme ligjërisht. Nuk mjafton të gjesh një mesazh apo një transaksion, pasi duhet të dish kujt i përket.
Pa investime të mjaftueshme në ekspertizën digjitale, hetimet rrezikojnë të zbulojnë vetëm raste të veçuara, në vend të rrjeteve të tëra kriminale.
Rastet e EncroChat dhe SKY ECC, ku autoritetet arritën të siguronin akses te komunikimet e përdoruesve, si dhe ai i ANOM, një platformë që kontrollohej fshehurazi nga autoritetet hetimore, treguan se sa shumë mund të zbulohet kur teknologjia hetohet me ekspertizën e duhur. Për ironi të fatit, sa herë që zhvillohen hetime të tilla të specializuara, mund të dalin në sipërfaqe lidhje, komunikime dhe skema financiare që më parë dukeshin pothuajse të pamundura për t’u zbuluar.
Prandaj, formimi i burimeve njerëzore nuk mund të mbetet një investim rastësor. Hetuesit duhet të përgatiten vazhdimisht për të kuptuar mënyrat e reja të organizimit kriminal dhe për të identifikuar pastrimin e parave që rrjedh prej tyre. Krimi tashmë na ka treguar se di të ndryshojë dhe të modernizojë mjetet që përdor, ndaj edhe njohuritë e hetuesve duhet të përditësohen vazhdimisht për të mos mbetur pas tij.
Krimi po e zgjeron veprimtarinë e tij përmes teknologjisë, por duke e bërë këtë po zgjeron edhe hapësirën ku mund të lërë gjurmë. Nëse nuk investohet në njerëzit që dinë t’i hetojnë ato, atëherë nuk janë kriminelët që po bëhen më të pakapshëm apo më të zgjuar, por hetimi që po mbetet arkaik.
