Tradicionalisht, lufta kërkon mobilizim masiv, tanke dhe mjete të rënda ushtarake, aviacion në gatishmëri dhe gjithëpërfshirje. Gjithçka, në këto kushte, është më e dukshme, demonstrative dhe politikisht e kuptueshme. Ndërsa sot, mjetet kanë ndryshuar. Në një ditë krejt normale në dukje, pa asnjë mobilizim të shtuar, një sistem fluturues pa pilot (dron) mund të shërbejë si pikënisje e menjëhershme agresioni.
Përfshirja e teknologjisë në luftë duket se e ka “modernizuar” këtë të fundit, duke ngritur problematika të reja, të paparashikuara vite më parë. Sulmet e fundit me dronë në Lindjen e Mesme tregojnë qartë këtë transformim. Mungesa e angazhimit të trupave ushtarake e bën procesin më të lehtë për t’u nisur. Në një sulm me tank apo avion me pilot, zinxhiri i vendimmarrjes është i drejtpërdrejtë dhe fizikisht i pranishëm. Me përfshirjen e dronëve, distanca krijon një ndarje psikologjike dhe operative. Vendimi për sulm është i targetuar, por pasoja mund të mos jetë gjithmonë e tillë. Edhe me precizion të lartë, ekziston rreziku i dëmeve kolaterale, duke krijuar efekte terrorizuese për popullsinë civile dhe pasoja që tejkalojnë objektivin fillestar, duke sjellë nxitje të mëtejshme të agresionit ushtarak.
Në mënyrë të thjeshtë, dronët kryesorë ushtarakë ndahen në disa kategori:
- Dronë zbulues (ISR – Intelligence, Surveillance, Reconnaissance).
Këta përdoren për mbikëqyrje dhe mbledhje informacioni. Ata nuk janë domosdoshmërisht të armatosur, por krijojnë avantazh strategjik duke ofruar pamje të qarta të terrenit dhe lëvizjeve të kundërshtarit. - Dronë të armatosur (armed UAV)
Janë të pajisur me raketa ose bomba të drejtuara me precizion. Goditja kryhet pas identifikimit të objektivit dhe autorizimit nga zinxhiri komandues. - Dronë “kamikazë” (Loitering munitions)
Këto qëndrojnë në ajër për një periudhë të caktuar derisa të identifikojnë objektivin, më pas përplasen mbi të dhe shpërthejnë. - Dronë me elementë autonomie
Në disa raste, sistemet përfshijnë algoritme që asistojnë në ndjekjen apo stabilizimin e objektivit. Vendimi përfundimtar, teorikisht, mbetet njerëzor, por teknologjia ndërmjetëson procesin.
Edhe pse shtetet duhet të investojnë në sisteme anti-dronë, me radarë të avancuar, inteligjencë artificiale dhe mekanizma neutralizimi apo ndërprerje GPS, këto masa nuk e zhdukin rrezikun, por vetëm e menaxhojnë atë. Çdo pengesë teknologjike gjeneron menjëherë një kundër-teknologji, ndërsa krijimi i një “kupole të përhershme” mbi çdo kilometër territori mbetet praktikisht i pamundur.
Në thelb, teknologjia mund të rrisë nivelin e sigurisë përmes sistemeve mbrojtëse dhe monitorimit të avancuar, por njëkohësisht krijon sfida të reja, duke e bërë më të lehtë ndezjen dhe zbatimin e agresioneve me kosto minimale njerëzore për agresorin.
