ZeroDay Blog Editorial Hipokrizia e thirrjes “ndaleni AI”
Editorial Inteligjence Artificiale Te Fundit

Hipokrizia e thirrjes “ndaleni AI”

Përmbledhje:

  • Krijuesit e AI-së nuk mund të shfaqen sot si shpëtimtarë të njerëzimit, kur janë po ata që e kanë shtyrë garën me ritëm agresiv dhe kanë ndërtuar modele gjithnjë e më të fuqishme, edhe pse rrezikun e kishin pranuar publikisht prej vitesh.
  • Alarmi për AI-në nuk është një zbulim i papritur i këtij momenti, sepse që në vitin 2023 Amodei, Altman dhe Hassabis e vendosën rrezikun e inteligjencës artificiale krahas pandemive dhe luftës bërthamore, ndërsa megjithatë zhvillimi i modeleve vazhdoi me të njëjtën shpejtësi.
  • Hipokrizia nis aty ku drejtuesit e AI-së kërkojnë që bota të frenojë teknologjinë, por vetë nuk tregojnë qartë çfarë janë gati të sakrifikojnë nga fitimi, pushteti dhe avantazhi i tyre në garën për modelin më të fuqishëm.

Ka diçka thellësisht problematike kur drejtuesit që përshpejtuan garën për inteligjencën artificiale kërkojnë tani ndihmë për ta frenuar. Paralajmërimet e tyre duhen dëgjuar, por nuk u japin automatikisht statusin e shpëtimtarit. Nëse ndërtove një teknologji duke pranuar se mund të bëhej e pakontrollueshme, alarmi i sotëm kërkon edhe llogaridhënie për vendimet e djeshme.

Pak ditë më parë, Dario Amodei, drejtuesi i Anthropic, kërkoi ngadalësimin e rritjes së aftësive të AI-së, vlerësues të jashtëm brenda kompanive dhe koordinim ndërkombëtar. Sam Altman dhe Elon Musk shprehën mbështetje në këtë ide. Megjithatë, duhet të jemi të vërtetë se Amodei nuk nënkupton ndërprerjen e trajnimit të modeleve. Pra, pas alarmit “ndaleni AI”, kërkesa konkrete është një zhvillim më i kontrolluar, ndërsa gara vazhdon.

Në propozimin e tij,  Dario Amodei kërkon ngadalësimin e zhvillimit, por duke ruajtur epërsinë amerikane ndaj Kinës. Shqetësimi gjeopolitik është real, pasi një kufizim që zbatohet vetëm nga njëra palë mund t’i japë avantazh tjetrës. Megjithatë, nëse siguria kushtëzohet vazhdimisht nga kërkesa për të qenë të parët, gara që prodhon rrezikun nga AI mbetet e paprekur. Kina nuk mund të shërbejë si justifikim i përhershëm për të zhvilluar sisteme që vetë krijuesit thonë se mund të dalin jashtë kontrollit.

Por pyetja esenciale është se kur e kuptuan rrezikun? Dokumentet tregojnë se shqetësimi ekzistonte shumë përpara këtij shtatori. Më 30 maj 2023, Amodei, Altman dhe Demis Hassabis nënshkruan deklaratën që e vendoste rrezikun e AI krahas brreziqeve si pandemia dhe luftërave bërthamore. E në këto kushte, nuk mund të trajtohet si zbulim i papritur një rrezik që vetë e kishin shpallur publikisht tre vjet më parë. 

Muajt e fundit AI po ndihmon gjithnjë më shumë në ndërtimin e brezit pasardhës të AI-së dhe nga ky zhvillim kanë parë incidente që tregojnë sjellje të padëshiruara. Ky argument ngre edhe pyetjen pse aftësitë u përshpejtuan përpara se kontrolli të ishte në nivelet e duhura. Parimi i njohur i sigurisë kibernetike mbetet se siguria nuk mund të jetë një hallkë që plotësohet pasi produkti ka fituar tregun komercial.

Kontradikta merr peshë simbolike edhe në Vatikan. Christopher Olah, bashkëthemelues i Anthropic, mori pjesë në prezantimin e enciklikës së Papa Leonit XIV mbi AI. 

Dialogu është i kuptueshëm, por afërmiteti me autoritetin moral nuk e shlyen përgjegjësinë teknologjike. Nëse e përshkruan krijesën tënde si një “djall” të mundshëm, nuk mund të ulesh në tryezë me rolin e shenjtorit dhe t’u kërkosh të tjerëve të kapin “djallin”, pa marrë fillimisht përgjegjësitë mbi peshën e vendimeve të tua në formimin e këtij “djalli”.

Hipokrizia fillon kur alarmi shërben për reputacionin tënd, ndërsa veprimet konkrete mbi kufizimin e AI i lë si  përgjegjësi në duart e të tjerëve. Besueshmëria reale e krijuesve të AI do të matet me atë që pranojnë të kufizojnë, edhe kur kufizimi u kushton para dhe pushtet.

Exit mobile version