Pikat kryesore të këtij opinioni:
1. Nuk mund të pretendosh se e kupton një brez vetëm sepse i ofron një aplikacion apo se e përfaqëson vetëm sepse i afrohesh në rrjetet sociale. Afërsia me të rinjtë nuk matet me reels, por me gatishmërinë për t’i dëgjuar vazhdimisht. Përndryshe, teknologjia kthehet në një version qesharak të të njëjtit problem të vjetër.
2. Një i ri që nuk është dëgjuar prej vitesh nuk ndihet papritur i përfaqësuar nga një aplikacion apo nga afrimi i vonuar i cilësdo palë politike në rrjetet sociale, pasi pakënaqësia ka shpërthyer në sheshe.
3. Nuk mund të presësh që teknologjia të qetësojë një shoqëri që nuk ke arritur ta dëgjosh në kohë paqeje.
Kriza e dialogut dhe përfaqësimit publik nuk zgjidhet duke e kthyer komunikimin në digjital, aq më pak kur për një kohë të gjatë nuk ke arritur t’i dëgjosh qytetarët dhe mendon se një aplikacion/rrjeti social mund të rikuperojë brenda pak ditësh atë që mungesa e dialogut ka shkaktuar ndër vite, pavarësisht palëve politike.
Në Shqipëri, ku protestat e fundit kanë nxjerrë në pah tensione sociale, duhet të shtrojmë një pyetje që shkon përtej çdo risie teknologjike. Përse duhet të presim që qytetarët të dalin në shesh për të krijuar mekanizma komunikimi dhe dëgjimi që të gjitha palët politike duhej t’i kishin ndërtuar shumë kohë më parë?
Problemi nuk është mungesa e aplikacioneve për të komunikuar, por mungesa e një procesi të vazhdueshëm dëgjimi. Një qytetar që për muaj apo vite nuk ka marrë përgjigje për shqetësimet e tij, nuk fillon të ndihet i përfaqësuar vetëm sepse tani ka një buton ku mund të shkruajë pakënaqësinë apo një profil më shumë aktiv në Instagram. Aq më pak mund të presim që një shoqëri e tensionuar të qetësohet vetëm sepse i është ofruar një kanal i ri komunikimi.
E njëjta gjë vlen edhe për palët e tjera politike që pretendojnë se po afrohen me qytetarët përmes rrjeteve sociale, pikërisht në momentin kur pakënaqësia e tyre ka shpërthyer.
Teknologjia duhej përdorur për t’i dëgjuar qytetarët përpara se të detyroheshin të bërtisnin. Kur pakënaqësia ka arritur në shesh, teknologjia nuk mund të shërbejë mrekullisht, vetvetiu, si qetësues i tensioneve që janë grumbulluar prej kohësh.
Kur një shoqëri detyrohet të bërtasë për t’u dëgjuar, problemi nuk është se i mungon teknologjia, por se i ka munguar dëgjimi në kohën kur ende mund të fliste pa bërtitur.
Nuk mund të pretendosh se e kupton një brez vetëm sepse i ofron një aplikacion apo një mjet komunikimi të përshtatur me zakonet e tij digjitale. Kështu thjesht ke modernizuar mënyrën e komunikimit, duke lënë të pandryshuara arsyet që kanë prodhuar moskuptimin.
Teknologjia ka vlerë kur bëhet pjesë e një kulture të përhershme dëgjimi, jo kur kujtohemi ta përdorim pasi tensionet janë bërë të papërballueshme. Ajo duhet të krijojë mundësinë që çdo qytetar, i ri apo i moshuar, të ndihet i dëgjuar përpara se pakënaqësia të kthehet në protestë. Sepse dialogu nuk fillon ditën kur shpërthen kriza.
Një aplikacion mund t’i mbledhë të gjithë zërat, por nuk mund të rikthejë me një klikim besimin e atyre që për shumë kohë nuk janë ndier të dëgjuar apo të përfaqësuar nga asnjëra palë.

