Përmbledhje:
- U publikua udhëzuesi zyrtar për përdorimin e inteligjencës artificiale në arsimin parauniversitar, ku AI lejohet si mjet ndihmës për mësuesit dhe nxënësit në shkollat shqiptare.
- Udhëzuesi parashikon përdorimin e AI për planifikim mësimi, krijim materialesh, ushtrime të personalizuara, kërkim informacioni dhe projekte, por kërkon transparencë, verifikim të burimeve, mbrojtje të të dhënave personale dhe shmangie të plagjiaturës.
- Pyetja kryesore mbetet nëse ky përdorim do rrisë cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies apo do krijoj një brez që mendon me ndihmën e AI duke u bërë psikologjikisht e varur prej saj.
Shkollat shqiptare po hyjnë zyrtarisht në epokën e inteligjencës artificiale. Jo duke e ndaluar ChatGPT-në, por duke tentuar ta vendosin brenda një kornize: si mund të përdoret AI në klasë, kush mban përgjegjësi, çfarë duhet të bëjnë mësuesit, çfarë mund të bëjnë nxënësit dhe ku fillon rreziku.
Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar ka publikuar “Udhëzuesin për përdorimin e Inteligjencës Artificiale”, një dokument prej 187 faqesh, që synon të orientojë shkollat për përdorimin etik, të sigurt dhe efikas të AI në arsimin parauniversitar. Dokumenti thotë se është hartuar në përputhje me zhvillimet europiane dhe ndërkombëtare, duke u mbështetur te EU AI Act, UNESCO, OECD dhe praktikat më të mira të institucioneve arsimore ndërkombëtare.
Thelbi i udhëzuesit është i qartë: AI mund të përdoret në shkollë, por si mjet mbështetës, jo si zëvendësim i mësuesit, i gjykimit profesional apo i aftësisë së nxënësit për të menduar vetë. Dokumenti thekson se për mësuesit, AI mund të ndihmojë në planifikimin e mësimit, krijimin e materialeve, përshtatjen e ushtrimeve sipas nivelit të nxënësve, vlerësimin formues dhe zhvillimin profesional.
Me fjalë të thjeshta: një mësues mund ta përdorë AI për të përgatitur më shpejt një ushtrim, për të krijuar shembuj të rinj, për të thjeshtuar një shpjegim ose për të përgatitur detyra me nivele të ndryshme vështirësie. Por mësuesi nuk duhet ta marrë përgjigjen e AI si të pagabueshme. Ai duhet ta kontrollojë, ta përshtatë dhe ta lidhë me qëllimin mësimor.
Për nxënësit, udhëzuesi e paraqet AI si mjet që mund të ndihmojë në kërkim informacioni, organizim idesh, reflektim, projekte dhe zhvillim të aftësive analitike. Por dokumenti këmbëngul te tre pika: nxënësi duhet të përdorë AI në mënyrë të përgjegjshme, të verifikojë informacionin dhe të ruajë integritetin akademik.
Kjo është pjesa më e rëndësishme për arsimin: ChatGPT mund të të japë një ese, por kjo nuk do të thotë se ti ke mësuar të shkruash. Mund të të përmbledhë një tekst, por kjo nuk do të thotë se ti e ke kuptuar. Mund të të japë përgjigje, por jo domosdoshmërisht të ndërton mendimin. Prandaj përdorimi i AI në shkollë nuk duhet të kthehet në rrugë të shkurtër për të shmangur leximin, shkrimin dhe arsyetimin.
Udhëzuesi trajton edhe rreziqet kryesore: dezinformimin, varësinë digjitale, cenimin e privatësisë, përdorimin joetik të përmbajtjeve të gjeneruara nga AI, plagjiaturën dhe mungesën e transparencës. Këto nuk janë detaje teorike. Nëse një nxënës përdor AI për një detyrë, duhet të jetë e qartë se çfarë ka bërë vetë dhe ku është ndihmuar nga teknologjia.
Kjo qasje është në linjë me udhëzimet europiane. Komisioni Europian ka publikuar udhëzime për përdorimin etik të AI dhe të dhënave në mësimdhënie, duke theksuar se shkollat kanë nevojë për mbështetje që ta përdorin AI në mënyrë të sigurt dhe që t’i mësojnë nxënësit të bëjnë të njëjtën gjë. Udhëzimet europiane theksojnë privatësinë, transparencën, përdorimin kritik dhe respektimin e kuadrit ligjor, përfshirë AI Act dhe GDPR.
Edhe OECD e sheh AI në arsim si mundësi, por jo si magji. Në Digital Education Outlook 2026, OECD thotë se AI gjenerative mund ta mbështesë të nxënit kur përdoret me parime të qarta pedagogjike. Pra, teknologjia nuk mjafton vetë; duhet të ketë mësues të trajnuar, qëllim të qartë, mbrojtje të të dhënave dhe mjete të përshtatshme për moshën e nxënësve.
UNESCO shkon edhe më tej dhe e vendos mësuesin në qendër. Korniza e saj për kompetencat e mësuesve në AI thekson se teknologjia ka ndryshuar marrëdhënien tradicionale mësues-nxënës në një dinamikë të re mësues-AI-nxënës, por kjo nuk duhet ta zhvendosë përgjegjësinë njerëzore nga klasa.
Për Shqipërinë, ky udhëzues është hap i nevojshëm, por testi i vërtetë nuk është publikimi i dokumentit. Testi është zbatimi në klasë. A do të trajnohen realisht mësuesit? A do të kenë shkollat politika të qarta? A do ta kuptojnë nxënësit se AI nuk është burim absolut i së vërtetës? A do të dinë prindërit si ta kontrollojnë përdorimin e saj jashtë shkollës?
