Përmbledhje:
- Kompanitë Big Tech po fiton miliarda nga AI, por po mban më pak njerëz në punë.
- Kompanitë nuk thonë gjithmonë se AI po zëvendëson punonjësit, por po e përdorin si arsye për ristrukturim dhe ndryshim të detyrave të përditshme.
- Tregu i punës po hyn në epokën ku nuk mjafton të dish teknologjinë, duhet të dish të punosh me AI.
Sipas TechCrunch, viti 2026 po shënon një valë të re pushimesh nga puna në industrinë e teknologjisë, ku kompanitë e mëdha nuk po flasin më vetëm për ristrukturim, ulje kostosh apo riorganizim të brendshëm, por po e përmendin gjithnjë e më hapur inteligjencën artificiale si një nga arsyet pse disa role nuk konsiderohen më të nevojshme. Artikulli i TechCrunch, i publikuar më 6 korrik 2026, rendit disa prej kompanive më të mëdha që kanë njoftuar shkurtime këtë vit, ndërsa në të njëjtën kohë po investojnë miliarda në AI, qendra të dhënash, automatizim dhe ekipe më të vogla, por më të shpejta.
Microsoft, sipas TechCrunch, ka shkurtuar rreth 4 800 vende pune, ose 2.1 për qind të fuqisë së saj globale punëtore, duke thënë se pozicionet nuk po zëvendësohen drejtpërdrejt nga AI, por duke pranuar se inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën si kryhet puna dhe po automatizon shumë detyra të përditshme. Kjo është pikërisht zona gri ku ndodhet sot debati, sepse kompanitë shpesh nuk thonë se “AI po merr vendin e punës”, por përdorin gjuhë si efikasitet, shpejtësi, riorganizim dhe reduktim kompleksiteti.
Lista e TechCrunch përfshin edhe emra si Oracle, GitLab, Google, Intuit, Meta, Cisco, Cloudflare, General Motors, Coinbase, PayPal, Snap, IBM, Atlassian, Dell, Block, Salesforce dhe Amazon, duke treguar se fenomeni nuk është i izoluar në një kompani të vetme, por po prek gjithë ekosistemin teknologjik. Në disa raste, si Oracle, kompania ka pranuar në dokumente financiare se përdorimi dhe vendosja e teknologjive AI mund të sjellë ulje të mëtejshme të fuqisë punëtore, ndërsa në raste të tjera, si Meta apo Intuit, shkurtimet paraqiten si mënyrë për të zhvendosur burimet drejt produkteve dhe infrastrukturës së inteligjencës artificiale.
Ajo që e bën këtë valë më shqetësuese është se disa prej këtyre kompanive nuk janë në krizë klasike financiare. Përkundrazi, TechCrunch vëren se shumë prej tyre raportojnë rritje të të ardhurave, fitime të forta apo investime të mëdha në AI, ndërsa njëkohësisht reduktojnë ekipe, shtresa menaxhimi dhe role që më parë konsideroheshin pjesë normale e rritjes teknologjike. Kjo krijon një kontrast të fortë mes narrativës publike të inovacionit dhe realitetit të punonjësve që përballen me pasiguri më të madhe profesionale.
Për industrinë e teknologjisë, mesazhi është i qartë. AI nuk po shfaqet vetëm si produkt i ri, chatbot më i zgjuar apo mjet që kursen kohë, por si mekanizëm që po ndryshon strukturën e kompanive nga brenda. Punët që bazohen te detyra të përsëritshme, koordinim i tepërt, mbështetje teknike, administrim i brendshëm apo procese të fragmentuara janë ndër më të ekspozuarat, ndërsa kompanitë po kërkojnë më shumë profile që dinë të punojnë me AI, të ndërtojnë mbi të dhe të prodhojnë më shpejt me ekipe më të vogla.
Për Zero Day, ky nuk është thjesht lajm për pushime nga puna në Silicon Valley. Është sinjal se tregu i punës po hyn në një fazë ku AI nuk do të zëvendësojë çdo profesion, por do të ndryshojë pritshmëritë për produktivitetin, aftësitë dhe madhësinë e ekipeve. Dhe kjo do të ndihet jo vetëm në Big Tech, por edhe në kompani më të vogla, në sektorin publik, në banka, në call center, në IT dhe në çdo industri që ka filluar ta shohë automatizimin si mënyrë për të bërë më shumë me më pak njerëz.

