Përmbledhje
- iPhone nxehet kur po i kërkon më shumë sesa duhet: karikim gjatë përdorimit, lojëra, video, GPS, aplikacione në sfond ose ambient shumë i nxehtë.
- Kur ndodh, hiq kasën, ul ndriçimin, mbyll aplikacionet e rënda, largoje nga dielli dhe lëre të ftohet natyrshëm.
Nëse iPhone nxehet, kjo nuk do të thotë menjëherë se telefoni është prishur. Në shumë raste, nxehtësia është thjesht sinjal që pajisja po punon më fort se zakonisht.
Sipas udhëzimeve të Apple, iPhone është projektuar të funksionojë më mirë në temperatura ambienti nga 0°C deri në 35°C. Kur telefoni përdoret në temperatura shumë të larta, ose kur procesori dhe bateria punojnë me ngarkesë të madhe, pajisja mund të nxehet, të ngadalësohet ose të ndalojë përkohësisht disa funksione.
Arsyet më të zakonshme janë përdorimi i rëndë dhe i zgjatur. Lojërat, videot me cilësi të lartë, FaceTime, kamera, editimi i videove dhe GPS e bëjnë telefonin të konsumojë më shumë energji. Edhe karikimi gjatë përdorimit e shton nxehtësinë, sepse bateria po merr energji ndërkohë që pajisja vazhdon të punojë.
Një shkak tjetër janë aplikacionet që punojnë në sfond. Disa app-e rifreskohen vazhdimisht, ngecin ose konsumojnë shumë bateri pa e kuptuar përdoruesi. Në këtë rast, telefoni lodhet edhe kur duket sikur nuk po bën shumë.
Nxehtësia mund të rritet edhe nga ndriçimi maksimal i ekranit, sinjali i dobët i rrjetit, ambienti i nxehtë, ekspozimi në diell ose një kasë shumë e trashë që pengon ftohjen natyrale të pajisjes.
Çfarë duhet të bësh? Fillimisht, hiq kasën dhe vendose telefonin në një vend më të freskët, larg diellit. Ul ndriçimin e ekranit, mbyll aplikacionet e rënda dhe ndalo për pak video, lojërat, kamerën ose GPS. Nëse po karikohet, shkëpute për disa minuta që temperatura të bjerë. Mund të aktivizosh edhe Low Power Mode për të ulur ngarkesën e telefonit.
Pastaj kontrollo te Settings cilat aplikacione po konsumojnë më shumë bateri, përditëso iOS dhe aplikacionet, dhe sigurohu që përdor karikues të certifikuar.
Në thelb, iPhone nxehet kur po i kërkon më shumë sesa duhet në atë moment. Zgjidhja nuk është paniku, por ulja e ngarkesës dhe kthimi i telefonit në kushte normale pune.
