Aktualitet Inteligjence Artificiale Siguri Kibernetike Sociale Te Fundit

Të moshuarit po zbulojnë dating apps

Mesazhet kryesore:

  • Të rinjtë po lodhen nga dating apps, ndërsa të moshuarit sapo po i zbulojnë.
  • 60 për qind e amerikanëve mbi 65 vjeç që përdorin dating apps i kanë zbuluar ato vetëm në tre vitet e fundit si mënyrë për të gjetur shoqëri dhe afërsi.
  • Edhe për këtë brez, sfida më e madhe është të kuptojnë kush është real dhe kur po bien pre skemave mashtruese emocionale dhe financiare.

Aplikacionet e takimeve po kalojnë një moment të çuditshëm. Një pjesë e të rinjve janë lodhur nga “swipe”, nga bisedat që nuk çojnë askund dhe nga ndjesia se dashuria është kthyer në katalog profilesh. Por ndërkohë, një grup tjetër përdoruesish po hyn me më shumë kuriozitet në këtë botë. Të moshuarit.

Sipas Axios, gjithnjë e më shumë persona mbi 65 vjeç po i përdorin aplikacionet e takimeve për të gjetur dashuri, shoqëri ose thjesht dikë me të cilin të ndajnë kohën. Kjo lidhet me një realitet të qartë social. Njerëzit jetojnë më gjatë, shumë mbeten vetëm pas divorcit ose humbjes së partnerit dhe jeta sociale në moshë të madhe shpesh bëhet më e kufizuar. Në këtë situatë, telefoni mund të kthehet në një portë të re njohjeje. 

Aplikacionet më të njohura si Tinder, Bumble dhe Hinge janë ndërtuar kryesisht për publik më të ri. Megjithatë, interesi i të moshuarve po rritet, ndërsa platforma si Match dhe OurTime janë më të afërta me këtë grupmoshë. Axios citon një sondazh të UserTesting me 217 amerikanë mbi 65 vjeç, ku rezulton se shumica nuk janë përdorues të vjetër të këtyre aplikacioneve. Pra, nuk flasim për njerëz që kanë qenë gjithmonë pjesë e kulturës së dating apps. Flasim për një brez që po mëson tani si funksionon njohja online. 

Ky ndryshim është nxitur edhe nga kultura pop. Programe si “The Golden Bachelor” dhe “The Later Daters” e kanë bërë më të dukshme idenë se dashuria, flirtimi dhe dëshira për lidhje nuk mbarojnë me moshën. Ato kanë ndihmuar të hiqet pak nga turpi që mund të ndiejë një person i moshuar kur hyn në një aplikacion takimesh. 

Por rreziku është real. Mashtrimet romantike online janë bërë më të sofistikuara dhe AI e bën më të lehtë krijimin e profileve të rreme, fotove bindëse dhe historive emocionale. Prandaj këshillat kryesore mbeten të thjeshta. Mos dërgo para. Mos ndaj të dhëna financiare. Mos jep shumë informacion personal që në fillim. Takohu në vende publike dhe njofto dikë të afërt.

Në fund, ky lajm tregon diçka më të madhe. Dating apps nuk janë më vetëm hapësirë për të rinjtë. Ato po bëhen pjesë e një tregu më të gjerë të vetmisë, shoqërisë dhe kërkimit për lidhje njerëzore. Të moshuarit mund të jenë futur vonë në këto platforma, por po hyjnë pikërisht në momentin kur pyetja më e madhe është se kush është real pas ekranit.