Nadia Elbasani

Në retorikën juridike, çdo herë e më shumë po dëgjojmë një terminologji që nuk ishte kaq prezente vite më parë, prova digjitale. Thjeshtësisht, prova digjitale është çdo gjurmë që lëmë pas nëpër pajisje elektronike dhe që mund të përdoret ligjërisht për të provuar një fakt në një proces gjyqësor.
Bashkë me fuqinë provuese dhe inkriminuese që kanë, provat digjitale sjellin edhe një nga pyetjet më të rëndësishme juridike të kohëve të fundit, nëse mund t’i besohet gjithmonë përmbajtjes elektronike të gjetur në pajisjen e një personi të përfshirë në një hetim penal. Pasi në momentin që një person vihet nën hetim, telefoni mund të kthehet në burimin kryesor të provave.
Dhe pikërisht këtu është pika kyçe procedurale, sepse lind pyetja se si janë marrë këto prova dhe kush garanton që ato nuk janë ndryshuar gjatë procesit hetimor.
Në vend që të punohet direkt mbi telefonin origjinal, krijohet një kopje identike e pajisjes deri në detajin më të vogël. Kjo bëhet për të shmangur çdo pretendim të mundshëm se dikush ka hyrë në pajisje dhe ka ndryshuar të dhënat.
Një nga situatat më të debatueshme në Shqipëri dhe jo vetëm është kur personi nën hetim thotë: “Po, telefoni është i imi, por nuk e kam dërguar unë këtë mesazh.” Dhe juridikisht, kjo nuk është një fjali pa vlerë. Sepse posedimi i telefonit nuk do të thotë automatikisht autorësi e çdo veprimi në të. Në shumë raste, një telefon përdoret edhe nga persona të tjerë, passwordet mund të dihen nga disa persona apo pajisjet lihen të hapura dhe llogaritë mund të aksesohen nga vende apo pajisje të ndryshme.
Në rastet e provave digjitale, hetimi duhet të shkojë përtej thjesht telefonit. Nuk mjafton të thuhet “u gjet një mesazh në pajisjen tënde”. Duhet të provohet kush e ka dërguar mesazhin dhe kush ishte duke e përdorur telefonin në atë moment. Nga cila vendndodhjeje është bërë veprimi? A përputhet ora e përdorimit me lëvizjet e personit? A ka gjurmë të tjera që e lidhin atë individ me aktin, me qëllim vërtetimin e lidhjes ndërmjet provës digjitale dhe faktit që pretendohet në proces?
Nëse këto elementë mungojnë, atëherë lind rreziku që prova digjitale të mos konsiderohet plotësisht e besueshme dhe të humbasë vlefshmërinë e saj provuese në një proces. E në këtë mënyrë humb vlera juridike që një provë mund të ketë.
Kjo është arsyeja pse gjykatat nuk duhet të mbështeten verbërisht vetëm në një provë digjitale, por duhet të vlerësojnë mënyrën se si ajo është marrë, ruajtur dhe administruar, si edhe faktin nëse pajisja ka qenë e lidhur me internetin gjatë kontrollit. Në mungesë të trajtimit të mësipërm dhe të respektimit të standardeve për ruajtjen e provave, ekziston rreziku që prova digjitale të mos konsiderohet e vlefshme, ndërsa pala mbrojtëse të pretendojë cenimin e autenticitetit dhe vlefshmërisë së saj provuese në procesin penal.
