Aktualitet Editorial Sociale Te Fundit

Pse na tërheq poshtërimi në komente? 

Përmbledhje:

  • E dimë që komentet mund të jenë poshtëruese, por vazhdojmë t’i hapim, të shtyrë nga kurioziteti për të parë çfarë thonë të tjerët, kush po sulmohet dhe sa larg ka shkuar urrejtja, derisa debati nuk është më debat por kthehet në një spektakël publik poshtërimi.
  • Ekrani krijon distancë nga personi që fyhet, sepse nuk shohim reagimin apo pasojën e menjëhershme të fjalëve tona, dhe pikërisht kjo distancë dobëson frenat logjike e sociale.
  • Sa më shpesh ekspozohemi ndaj komenteve agresive, aq më shumë rrezikojmë që poshtërimi të na duket normal, që gjuha e urrejtjes të ndikojë mënyrën si e kuptojmë një lajm apo gjykojmë personin e sulmuar dhe që komentet poshtë një postimi t’i ngatërrojmë me mendimin e gjithë shoqërisë.

Ka një këshillë që përsëritet pothuajse sa herë dikush bëhet objekt sulmesh në rrjetet sociale. “Mos i lexo komentet”.

Në teori, tingëllon si zgjidhja më e thjeshtë në botë, por në praktikë miliona njerëz bëjnë pikërisht të kundërtën. Lexojmë një lajm, shohim një video ose një fotografi dhe, pa kaluar shumë kohë, kalojmë te seksioni i komenteve. Jo domosdoshmërisht sepse kemi nevojë për më shumë informacion mbi postimin, por sepse duam të dimë çfarë kanë thënë të tjerët. Dhe pikërisht aty, shumë shpesh, fillon një internet krejt tjetër.

Poshtë një fotografie mund të mos diskutohet më fotografia, por pamja apo personaliteti hipotetik i personit. Poshtë një deklarate mund të mos debatohet më argumenti, por familja, gjinia apo origjina e atij që e ka bërë.

Kjo është arsyeja pse duhet të bëjmë dallimin mes kritikës dhe gjuhës që synon të poshtërojë personin, në vend që të ballafaqojë idetë.

Një eksperiment i botuar në Human Communication Research tregoi se njerëzit që lexonin komente paragjykuese kishin më shumë gjasa të përdornin vetë të njëjtën gjuhë dhe madje të ndryshonin qëndrimin ndaj personit të sulmuar. Kur një gjuhë përsëritet vazhdimisht, ajo nis të duket më normale, më e pranueshme dhe, ngadalë, kthehet në normë.

Dhe këtu nis efekti i turmës online. Ekrani krijon distancë mes atij që fyen dhe atij që poshtërohet. Kur nuk e ke tjetrin përballë, nuk sheh reagimin e tij dhe nuk përballesh drejtpërdrejt me pasojën e fjalëve të tua, kufiri moral bëhet më i lehtë për t’u kapërcyer. Fyerja fillon të perceptohet jo si poshtërim, por si një mendim që “kam të drejtë ta them”. Pastaj mjafton që njëri ta bëjë, një tjetër ta pëlqejë e ta çojë pak më tej dhe, shumë shpejt, krijohet turma ku liria e fjalës ngatërrohet me idenë se, pas ekranit, mund të thuash çfarë të duash.

Kjo njihet në psikologjinë e internetit si online disinhibition effect. Distanca fizike, ndjenja e anonimitetit dhe mungesa e reagimit të menjëhershëm të personit që kemi përballë mund të dobësojnë disa nga frenat sociale që funksionojnë në komunikimin ballë për ballë. Njerëzit mund të shkruajnë në ekran fjali që do ta kishin shumë më të vështirë t’ia thoshin dikujt duke e parë në sy.

Komentet kanë marrë pushtet edhe sepse i lexojmë si një sondazh të shoqërisë. Duam të dimë “çfarë mendojnë njerëzit”, por komentet nuk janë domosdoshmërisht njerëzit. Dhe kjo ndodh brenda platformave që, prej vitesh, studiojnë sjelljen tonë dhe testojnë çfarë na bën të klikojmë, të reagojmë dhe të qëndrojmë më gjatë. Kurioziteti ynë nuk është thjesht efekt anësor i rrjeteve sociale. Ai është edhe një nga mekanizmat mbi të cilët ndërtohet angazhimi ynë me to.

Edhe vetë përmbajtja që kemi lexuar përpara komenteve mund të ndryshojë qasje pasi kalojmë poshtë saj. I ashtuquajturi Nasty Effect ka treguar se një artikull neutral mund të perceptohet ndryshe pasi lexuesi ekspozohet ndaj një debati agresiv në seksionin e komenteve. Në një eksperiment me 1,183 persona, pjesëmarrësit lexuan të njëjtin artikull të balancuar për nanoteknologjinë, por vetëm ndryshimi qasjes së komenteve poshtë tij mjaftoi për të polarizuar mënyrën se si ata perceptonin rrezikun e kësaj teknologjie. Pra, nuk ndryshoi informacioni, por ndryshoi vetëm mënyra se si komentonin për të.

Prandaj, problemi i gjuhës së urrejtjes online nuk është vetëm se dikush fyhet, preket psikologjikisht apo se fyerja kalon deri në shpifje. Problemi më i madh është ambienti që ndërtohet kur mijëra njerëz hyjnë çdo ditë në hapësira ku poshtërimi, tallja, agresiviteti dhe shpifja bëhen pjesë normale e komunikimit.

Dhe më paradoksalja është se e dimë. E dimë se komentet mund të jenë jo etike. E dimë se shumë prej tyre shkruhen pa menduar se personi që poshtërohet mund t’i lexojë apo se këto komente mund të shkruhen nga njerëz të frustruar.

E në këto kushte, ndoshta varësia jonë më e re nuk është vetëm nga rrjetet sociale, por është nga nevoja për të parë se sa keq mund të flasin të tjerët.