Aktualitet Inteligjence Artificiale Sociale Te Fundit

AI mund të shkruajë ankesën që ti nuk dije si ta bëje

Përmbledhje:

  • AI po e bën më të lehtë se kurrë që qytetarët të kundërshtojnë shtetin, nga gjobat e parkimit te denoncimet, një chatbot mund të shkruajë ankesa, apelime dhe kërkesa zyrtare brenda pak minutash.
  • Nga ana tjetër, shteti nuk mund t’i përgjigjet me automatizim të verbër, pasi çdo përgjigje zyrtare duhet të lexohet, verifikohet dhe mbajë përgjegjësi njerëzore, sepse përballë ka një të drejtë qytetare, jo thjesht një letër më shumë.
  • Ndryshimi tanimë është se burokracia mund të vihet në vështirësi nga një volum kërkesash që më parë ishte i pamundur; qytetarët mund të kërkojnë më lehtë të drejtën e tyre, ndërsa administrata duhet të mësojë të përballet.

Qeveritë e kanë parë inteligjencën artificiale si një mundësi për të ulur koston e administratës, për të përshpejtuar shërbimet publike dhe për të bërë shtetin më efikas. Por The Economist ngre një paralajmërim tjetër: AI nuk po përdoret vetëm nga shteti për të punuar më shpejt; po përdoret edhe nga qytetarët, kompanitë dhe grupet e interesit për ta sfiduar shtetin më shpesh, më shpejt dhe me më shumë dokumente. 

Shembulli më i thjeshtë është gjoba e parkimit. Dikur, për të kundërshtuar një gjobë, duhej të dije rregullat, të shkruaje një ankesë, të kërkoje argumente dhe të humbisje kohë. Sot, një platformë me AI mund të të përgatisë brenda pak minutash një letër apelimi me gjuhë ligjore. Në dukje, kjo është gjë e mirë: qytetari ka më shumë fuqi për t’u mbrojtur. Por kur mijëra njerëz e bëjnë këtë njëkohësisht, administrata mund të përfundojë e mbytur nga ankesa që duhet t’i lexojë, t’i verifikojë dhe t’u përgjigjet.

The Economist përmend se AI po rrit edhe kompleksitetin e kërkesave për informacion publik. Këtë e konfirmon edhe ICO, autoriteti britanik për informacionin dhe privatësinë, i cili ka publikuar udhëzime për institucionet publike që po përballen me kërkesa të krijuara me AI. Sipas ICO, këto kërkesa mund të jenë më të ndërlikuara, mund të citojnë gabim ligje dhe shpesh kërkojnë sqarime shtesë përpara se institucioni të japë përgjigje. 

Problemi nuk ndalet te gjobat apo kërkesat për informacion. Artikulli përmend edhe fushën e planifikimit urban, qirave, ankesave ndaj rregullatorëve dhe proceseve administrative ku njerëzit mund të dorëzojnë tekst të hapur. Kjo është zona ku AI është më e fortë: prodhon letra, kundërshtime, argumente dhe ankesa bindëse me kosto pothuajse zero.

Ky fenomen po quhet nga disa studiues “agentic flooding”, pra një lloj përmbytjeje e institucioneve me veprime të prodhuara nga agjentë AI. Ideja është e thjeshtë: nëse më parë një qytetar kishte kohë të shkruante një ankesë, tani AI mund t’i prodhojë dhjetëra versione. Nëse më parë një grup interesi kishte nevojë për staf, tani mund të përdorë mjete automatike për të dërguar mijëra komente, kërkesa apo apelime.

Kjo e vendos shtetin para një dileme të re. Nga njëra anë, AI mund të demokratizojë aksesin në administratë: njerëzit që nuk dinë të shkruajnë mirë, nuk njohin gjuhën ligjore ose nuk kanë para për avokat mund të mbrohen më lehtë. Nga ana tjetër, i njëjti mjet mund të përdoret për të vonuar procese, për të bllokuar vendime publike ose për të lodhur institucionet me volum artificial kërkesash.

Në fund, pyetja nuk është nëse qytetarët duhet të kenë të drejtë të ankohen. Sigurisht që po. Pyetja është nëse shteti është gati për një epokë ku ankesat, apelimet dhe kërkesat nuk shkruhen më një nga një nga njerëzit, por prodhohen masivisht nga AI. Sepse administrata që mezi përballonte burokracinë njerëzore, tani duhet të përballet edhe me burokracinë e prodhuar nga makineria.