Përmbledhje:
- ChatGPT for Teens nuk është një aplikacion më vete, por një version i ChatGPT që aktivizon automatikisht mbrojtje shtesë kur sistemi identifikon se përdoruesi është nën 18 vjeç.
- Versioni përfshin kufizime për përmbajtjet e ndjeshme, Study Mode dhe kontrolle prindërore për një përdorim më të sigurt të AI.
OpenAI ka lançuar ChatGPT for Teens, një version të ChatGPT të krijuar posaçërisht për përdoruesit adoleshentë. Shërbimi nisi të shpërndahet globalisht më 18 gusht 2026 dhe po aktivizohet gradualisht për llogaritë e përdoruesve nën 18 vjeç.
Nuk bëhet fjalë për një aplikacion të ri. Nëse sistemi identifikon se përdoruesi është 13–17 vjeç, përmes moshës së deklaruar, verifikimit ose sistemit të parashikimit të moshës, ai kalon automatikisht në eksperiencën ChatGPT for Teens.
Kjo do të thotë që ChatGPT for Teens nuk shkarkohet veçmas dhe përdoruesi nuk zgjedh vetë ta aktivizojë. Është i njëjti ChatGPT, por sistemi vendos automatikisht masa shtesë mbrojtëse kur llogaria rezulton se i përket një personi nën 18 vjeç.
OpenAI mund ta përcaktojë këtë në disa mënyra, nga mosha që përdoruesi deklaron në llogari ose nga sistemi i age prediction, i cili analizon sinjale të ndryshme të përdorimit të llogarisë për të vlerësuar nëse përdoruesi mund të jetë nën 18 vjeç. Nëse sistemi arrin në këtë përfundim dhe llogaria është e përshtatshme, ChatGPT for Teens aktivizohet vetë, me më shumë kufizime për përmbajtjet e ndjeshme dhe disa funksione.
Nëse një përdorues mbi 18 vjeç futet gabimisht në këtë regjim, ai mund të verifikojë moshën për të hequr mbrojtjet e versionit për adoleshentë.
Ndryshimi kryesor janë masat më të forta të sigurisë. OpenAI thotë se versioni për adoleshentët kufizon më shumë përmbajtjet e papërshtatshme ose të rrezikshme dhe përfshin mjete që synojnë përdorim më të shëndetshëm të inteligjencës artificiale. Përfshihet gjithashtu Study Mode, i cili synon ta ndihmojë nxënësin të kuptojë një problem hap pas hapi, në vend që t’i japë thjesht përgjigjen.
Prindërit mund të përdorin edhe kontrolle shtesë, ndërsa OpenAI e pozicionon produktin si një përpjekje për ta bërë përdorimin e AI nga adoleshentët më të përshtatshëm për moshën e tyre.
ChatGPT për të miturit nuk është më vetëm një ide, ka nisur të përdoret realisht, megjithëse disponueshmëria vazhdon të zgjerohet gradualisht nëpër llogari.
