Rutina e gjithsecilit nga ne përfshin domosdoshmërisht edhe ndërveprimin me qytetin. Fjali kjo që po të lexohej dekada më parë do të ishte krejt e pakuptimtë, ndërkohë sot qytetet po kalojnë në dimensione që më parë nuk imagjinoheshin. Bashkëveprimi që një qytet ka me qytetarët e tij e bën element avantazhues. Por çfarë dua të them me ndërveprim/bashkëveprim mes qytetit, qytetarit dhe rendit?
Të gjithë kemi parë se si qytete të ndryshme si Barcelona, Singapore dhe Tallinn kanë kaluar nga thjeshtë hapësira fizike me godina të ngurta në ekosisteme ku teknologjia dhe të dhënat bashkëveprojnë për të garantuar siguri fizike, bashkëpunim mbi parashikimet e trafikut dhe mbi të gjitha zhvillim në përgjithësi. Janë pikërisht këto elemente që kthejnë një qytet në ndërveprim me qytetarët e tij për më shumë inovacion dhe siguri.
Përdorimi i kamerave inteligjente dhe sensorëve urbanë është bërë pjesë e strategjive për sigurinë publike, menaxhimin e trafikut dhe monitorimin e përgjithshëm të ligjit në disa qytete të BE-së.
Paraprakisht, për të shmangur çdo polemikë mbi këtë çështje, po parashtroj diskutimin e vjetër dhe të rëndësishëm mbi privatësinë dhe cenimin e të drejtave themelore të njeriut.
Zhvillimi i qyteteve Smart patjetër vjen së bashku me kritikën për t’u kujdesur për privatësinë dhe përdorimin e ligjshëm të të dhënave, pa të cilat një qytet Smart nuk mund të krijohet. Balanca që duhet ruajtur është esenciale dhe kërkon një zhvillim sa më të sigurt, përpara se implementimi të shkaktojë më shumë probleme sesa të mira. Kjo balancë pretendohet të jetë e rregulluar pikërisht nga Akti për Inteligjencën Artificiale i Bashkimit Evropian (miratuar në vitin 2024), ku më poshtë do të sqaroj kufizimet që janë menduar si mënyra e duhur për të krijuar një qytet Smart dhe të sigurt për këdo.
Debati lind kryesisht për kamerat inteligjente. Shkurtimisht po evidentoj diferencën kryesore mes kamerave të zakonshme dhe kamerave inteligjente.
Ndryshe nga kamerat e zakonshme që thjesht regjistrojnë pamje, kamerat inteligjente përdorin inteligjencën artificiale për t’i analizuar pamjet në kohë reale, duke dalluar automjete që shkelin rregullat, njohur fytyra apo targa, zbuluar sjellje të dyshimta dhe paralajmëruar menjëherë për rreziqe apo shkelje.
AI Act i Bashkimit Evropian (miratuar në vitin 2024) ndalon përdorimin e identifikimit biometrik në kohë reale në hapësira publike, përveç rasteve të jashtëzakonshme, për shembull për parandalimin e një sulmi terrorist apo ngjarje të së njëjtës rëndësi publike.
Kjo nënkupton se, edhe pse teknologjia mund të identifikojë fytyra, autoritetet nuk mund ta përdorin këtë funksion pa bazë ligjore të përcaktuar qartë nga legjislacioni.
Njëkohësisht, GDPR e BE-së (Rregullorja për Mbrojtjen e të Dhënave) përcakton se çdo përdorim i kamerave duhet të garantojë transparencë ndaj qytetarëve, së pari për ekzistencën e tyre, si dhe të respektojë parimin e minimizimit të të dhënave, duke ruajtur regjistrimet vetëm për aq kohë sa është e nevojshme.
Këto sisteme funksionojnë mbi analizë video të automatizuar, e cila përpunon imazhe pa i lidhur drejtpërdrejt me individë të identifikueshëm, pra nuk bien nën kategorinë e “high-risk AI” sipas AI Act.
Në Londër, kamerat inteligjente dhe rrjetet e sensorëve përdoren për menaxhimin e trafikut dhe sigurinë publike, ndërsa Tallinn ka ndërtuar një sistem të integruar digjital që kombinon shërbimet urbane me mbrojtjen kibernetike.
Në Singapor dhe Amsterdam, inteligjenca artificiale dhe të dhënat në kohë reale përdoren për të optimizuar transportin, ndriçimin dhe reagimin ndaj emergjencave, duke i bërë këto qytete modele të përparuara të Smart Cities në botë.
A do të jetë edhe Tirana një qytet Smart? Ky projekt pilot duhet domosdoshmërisht të ngrihet vetëm duke pasur sigurinë në mendje si elementin më të rëndësishëm të zhvillimit të teknologjisë; në të kundërt, më mirë të mos bëjmë eksperimente që mund të na minojnë besimin edhe te teknologjia.
Nëse kamerat dhe sistemet e inteligjencës artificiale që përbëjnë një Smart City përdoren mbi baza transparence dhe standarde etike, ato kthehen në mjete që rrisin sigurinë dhe cilësinë e jetës së qytetarëve; në të kundërt, mungesa e rregullave, në përputhje me AI Act dhe GDPR, rrezikon ta shndërrojë teknologjinë në instrument kontrolli që cenon privatësinë dhe besimin e qytetarëve.
Në fund, pyetja që duhet të shtrohet nuk është “a duam kamera?”, por “çfarë duam të shohin ato?”. Nëse duam të shohim krimin dhe abuzimin, atëherë teknologjia na shërben si aleat. Por nëse përdoret për ta parë qytetarin si subjekt vëzhgimi atëherë kemi shkelur parimet themelore mbi të cilat ndërtohen rregulloret e BE-së dhe mbi të gjitha humbim vetë thelbin e demokracisë.
