Aktualitet Editorial Inteligjence Artificiale Siguri Kibernetike Sociale Te Fundit

Njerëzit besojnë njerëzit, jo logot  

Përmbledhje:

  • Publiku nuk beson më autoritetin, por atë që i duket i afërt, i kuptueshëm dhe i arritshëm.
  • Rrjetet sociale nuk e zhdukën besimin, thjesht i  ndryshuan fokusin. 
  • Sot lajmi fiton më shumë vëmendje kur vjen me fytyrë, emocion dhe gjuhë njerëzore.
  • Njeriu online duket më i sinqertë se logoja e ftohtë, por edhe ai mund të jetë një markë e maskuar si individ kur nuk tregohet kujdes.

Besimi nuk ka lindur kurrë nga një logo e ftohtë. Ka lindur nga fytyra, zëri, nga prania dhe nga ndjesia se dikush po të flet ty, specifikisht. Historikisht, njerëzit kanë besuar prijësin, mësuesin, gazetarin me emër, figurën që dilte përpara publikut dhe mbante përgjegjësi me fytyrë. Logoja erdhi më vonë, si përpjekje për ta institucionalizuar besimin. Por sot, në epokën e rrjeteve sociale, besimi po kthehet përsëri te forma e tij më e vjetër, te njeriu.

Kjo nuk ndodh sepse publiku është bërë domosdoshmërisht më naiv, madje e kundërta mund të jetë një tezë. Institucionet janë bërë më të ftohta, markat më të kuruara. Publiku ndien se një personalitet online është më i afërt, më i prekshëm por edhe më i lehtë për t’u sfiduar. Mund t’i shkruash, mund ta kritikosh, mund ta shpërndash, mund ta bojkotohesh publikisht, pra ke fuqi mbi të, ndryshe nga institucionalizmi. Në mendjen e ndjekësit, kjo krijon një iluzion kontrolli edhe kur kontrolli është minimal. 

Rrjetet sociale e kanë bërë lajmin më personal. Pas çdo fjalie shfaqet një reagim, emocion njësoj si ai që e ndjek, i njëjtë me të. Mimika, shpërthimet krijojnë ndjesinë e fortë të afërsisë dhe të qënit i kuptuar. Gjuha është më e afërt, më e drejtpërdrejtë, më pak burokratike. Kjo e bën informacionin më të kapshëm, sidomos për brezat që nuk kanë durim për fjali zyrtare dhe formate të ngurta. Por këtu nis edhe rreziku. Kur thjeshtësia nuk moderohet, ajo rrëshqet në banalitet. Dhe kur banaliteti shitet si afërsi, publiku fillon të ngatërrojë tonin e thjeshtë me të vërtetën.

Njerëzit besojnë njerëzit edhe sepse njeriu online duket sikur nuk ka hierarki pas vetes. Nuk ka bord, interes tregtar, departamente apo filtër institucional që e ndan nga publiku. Ai shfaqet si individ i vetëm që flet direkt. Por kjo nuk do të thotë se është i pavarur. Edhe individi mund të ketë interesa, sponsorizime, bindje politike, ego, nevojë për klikime dhe strategji ndikimi.

Ky është paradoksi i kohës sonë. Publiku po largohet nga logot sepse i duken të largëta, por po afrohet te njerëzit që rrezikojnë të kthehen vetë në marka. Lajmi bëhet më tërheqës kur ka fytyrë, por bëhet më i rrezikshëm kur opinioni, aktivizmi dhe informacioni paraqiten si e njëjta gjë. Besimi te njeriu është i natyrshëm. Problemi nis kur njeriu besohet pa verifikim, vetëm sepse flet bukur, shpejt dhe me gjuhën tonë.