Përmbledhje:
- Shqipëria është sot e para në NCSI, në një renditje që mat ligjet, strukturat dhe protokollet e ngritura dhe jo nëse jemi realisht fuqia kibernetike numër një në botë.
- Fakti që në sulmet e vitit 2022 Shqipëria mori ndihmë nga SHBA dhe NATO, ndërsa sot SHBA renditet poshtë nesh në NCSI, tregon paradoksin e thjeshtësisë së titujve të ditës.
- Mirëpo siguria kibernetike kërkon edhe kuadër ligjor edhe kapacitet teknik real, sepse vendin në tabelë ta japin kriteret e indeksit ndërsa sulmi kibernetik tregon sa mirë funksionon sistemi.
Mesdita e 11 gushtit e gjeti Shqipërinë me disa tituj bombastikë për të qenit vendi i parë në botë në sigurinë kibernetike.
Në pamje të parë, kjo mund të krijojë përshtypjen se Shqipëria është sot një nga fuqitë më të mëdha kibernetike në botë. Por duhet të ndalemi pak më gjatë këtu dhe të kuptojmë se çfarë mat kjo renditje.
NCSI nuk mat drejtpërdrejt se cili shtet është më i fuqishëm në sigurinë kibernetike. Ai vlerëson kryesisht sa i plotë dhe i dokumentuar është kuadri kombëtar institucional, ligjor, organizativ dhe procedural për sigurinë kibernetike. Thënë më thjesht, një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj matjeje lidhet me anën protokollare të sistemit, pra me faktin nëse një shtet i ka ngritur në letër dhe në strukturë mekanizmat që kërkohen. Kontrollohet nëse ekzistojnë strategjitë, ligjet, autoritetet përgjegjëse, strukturat e reagimit ndaj incidenteve, mekanizmat e raportimit, masat për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe planet për menaxhimin e krizave.
Ky indeks nuk është një test praktik i fuqisë së qendrave operative të sigurisë, kapaciteteve të inteligjencës kibernetike që disponon një shtet apo performancës së tij gjatë një sulmi real. Ai tregon në një masë të madhe sa e plotë është arkitektura institucionale dhe protokollare.
Pra, vendi i parë në botë nuk do të thotë se kemi kapacitetin teknik më të fuqishëm në botë. Do të thotë se, sipas kritereve të këtij indeksi, kemi ndërtuar dhe dokumentuar pothuajse të gjithë komponentët protokollarë që kërkohen nga ky indeksim.
Prandaj vende si SHBA, Estonia, Singapori apo Japonia mund të dalin më poshtë se Shqipëria. Të dalësh mbi SHBA-në në këtë indeks nuk do të thotë se je më i fortë se SHBA-ja në siguri kibernetike të plotë.
Por ka dhe një paradoks nëse titujt do ti merrnim të mirëqenë. Kur Shqipëria u përball me sulmet kibernetike të vitit 2022, përgjigjja nuk ishte shqiptare. U.S. Cyber Command solli në Shqipëri një ekip të Cyber National Mission Force për një operacion mbrojtës “Hunt Forward”, i cili punoi për të identifikuar dhe analizuar aktivitetin e kundërshtarit në rrjete. NATO gjithashtu diskutoi dhe ofroi mbështetje të mëtejshme për Shqipërinë pas sulmeve.
Nëse e lexojmë këtë renditje ashtu siç u shfaq në disa prej titujve të sotëm, krijohet paradoksi se vendi i parë në botë për nga fuqia kibernetike ka marrë ndihmë teknike nga vende që renditen më poshtë në të njëjtën tabelë. Pikërisht për këtë arsye, titujt bombastikë mund të jenë tërheqës, por pa shpjeguar metodologjinë krijojnë një ide që vetë indeksi nuk e thotë.
Këtë e kuptojmë edhe më mirë nëse shohim një tjetër instrument ndërkombëtar, Global Cybersecurity Index, GCI, të International Telecommunication Union, ITU, agjenci e Kombeve të Bashkuara.
Në indeksin e ITU për vitin 2024, Shqipëria është në Tier 2, pra në nivelin Advancing, jo në grupin më të lartë, Tier 1. ITU mat anën ligjore, teknike dhe organizative, si edhe zhvillimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimin.
Në sigurinë kibernetike duhen të dyja, edhe kuadri ligjor edhe kapaciteti teknik real. Ligjet dhe strategjitë janë fillimi e më pas testi është si reagon shteti kur ndodh sulmi.

