ZeroDay Blog Aktualitet Lufta për algoritmin
Aktualitet Editorial Sociale Te Fundit

Lufta për algoritmin

Përmbledhje:

  • Një debat që deri pak vite më parë konsiderohej tepër teknik është kthyer sot në pjesë të diskursit publik e politik të çdo pale dhe “kapja e algoritmit” është bërë një nga fushëbetejat kryesore për vëmendje dhe ndikim.
  • Të “kapësh algoritmin” do të thotë të fitosh një vend të përhershëm në ekranin e telefonit dhe bashkë me të, mundësinë për të ndikuar te temat që diskutohen, problemet që marrin vëmendje dhe mënyra se si i percepton ai që të ndjek.
  • Një personazh showbiz-i dhe një politikan mund të fitojnë të njëjtën audiencë, por për politikanin thjesht ekspozimi nuk mjafton, sepse diferenca është rezultati institucional.

Pak vite më parë, nëse në një debat publik do të flisje për “algoritmin”, kishte shumë gjasa që diskutimi të mbyllej si tepër teknik. Algoritmi konsiderohej çështje programuesish, kur në fakt pikërisht atëherë duhej të fillonte debati mbi pushtetin që ai do të merrte mbi jetën e përditshme të përdoruesve të zakonshëm. Njësoj siç duhet diskutuar sot për ndikimin që chatbot-et me AI mund të kenë në formimin e një fëmije apo edhe në formimin profesional të një të rrituri. Por kjo është një temë që do ta trajtojmë në vijim.

Sot pothuajse të gjithë flasin për rreziqet e algoritmeve dhe, në të njëjtën kohë, pothuajse të gjithë kërkojnë të përfitojnë nga fuqia e tyre.

Të “kapësh algoritmin” e dikujt do të thotë të arrish t’i dalësh vazhdimisht përpara në ekranin e telefonit, mjetit më personal dhe më të afërt që ai përdor gjatë ditës. Dhe pikërisht këtu ka ndryshuar edhe komunikimi politik. Në Shqipëri, si kudo tjetër, pothuajse çdo palë politike po investon gjithnjë e më shumë te rrjetet sociale, videot, reagimet e drejtpërdrejta dhe komunikimi personal me qytetarin. Dhe kjo nuk vjen si një zgjedhje stili modern, por është kërkesë e kohës.

Në politikën e vjetër luftohej për minutat televizive, ndërsa sot luftohet edhe për feed-in e qytetarit. Kush shfaqet më shpesh, ka më shumë mundësi të perceptohet si aktiv, i pranishëm dhe i afërt. Platformat sociale mund të krijojnë ndjesinë se njeh një person që në të vërtetë nuk e njeh dhe se ke afër një politikan me të cilin, vetëm disa vite më parë, nuk kishe asnjë mundësi kontakti.

Një forcë politike që arrin të jetë vazhdimisht në zonën e shikimit të qytetarit fiton mundësinë të ndikojë te temat që ai konsideron të rëndësishme, te problemet për të cilat diskuton dhe deri te mënyra se si i interpreton ato. Prandaj “kapja e algoritmit” është bërë pjesë e politikës moderne dhe asnjë palë nuk mund ta neglizhojë më.

Mirëpo këtu fillon edhe prova e vërtetë, sepse qytetari nuk është thjesht ndjekës dhe politikani nuk është personazh showbiz-i. Nëse pas një prezence moderne vazhdojnë të ekzistojnë mendjemadhësia, burokracia, mungesa e përgjegjësisë dhe nevoja për të njohur dikë që ta shtyjë çështjen përpara, atëherë teknologjia ka modernizuar vetëm mënyrën e dërgimit të ankesës, jo mënyrën se si zgjidhet ajo.

Kjo është arsyeja pse politika moderne duhet të arrijë të gërshetojë dy botë që nuk mund të funksionojnë të ndara. Duhet të ketë ritmin dhe afërsinë e komunikimit digjital, por njëkohësisht seriozitetin dhe përgjegjësinë institucionale.

Sepse, në thelb, këtu qëndron edhe diferenca mes një influenceri dhe një politikani. Të dy mund të “kapin algoritmin”, por vetëm politikani duhet ta kthejë atë vëmendje në përgjegjësi e cila i garanton qëndrueshmërinë politike.

Algoritmi mund ta sjellë politikanin qindra herë në ekranin e qytetarit, por sapo qytetari kalon nga shikimi te kërkesa konkrete, mbaron beteja për vëmendjen dhe fillon prova e efikasitetit.

Prandaj politika e re nuk fitohet vetëm duke “kapur algoritmin”, por fitohet kur algoritmi përdoret për të afruar qytetarin dhe institucioni arrin të mbajë këtë afërsi.

Exit mobile version