Mesazhet kryesore:
- Amerikanët po kalojnë më shumë kohë në shtëpi, dhe po ashru po flasin gjithnjë e më pak me fqinjët e tyre.
- Rënia është më e fortë te të rinjtë, ku vetëm 25 për qind thonë se komunikojnë rregullisht me fqinjët, krahasuar me 51 për qind në vitin 2012.
- Teknologjia, puna nga distanca dhe komunitetet digjitale po zëvendësojnë kontaktet e përditshme njerëzore, por nuk arrijnë të krijojnë të njëjtën mbështetje reale që jep komuniteti fizik.
Në dukje, amerikanët janë më shumë se kurrë pranë shtëpisë. Ata punojnë nga shtëpia, luajnë lojëra online, porosisin ushqim nga shtëpia dhe komunikojnë online pa pasur nevojë të dalin nga dera. Por pikërisht në këtë realitet të ri, një lidhje e vjetër sociale po dobësohet, një ndër to është marrëdhënia me fqinjët.
Sipas të dhënave të raportuara nga Axios, në vitin 2012 rreth 59 për qind e amerikanëve thoshin se flisnin me fqinjët disa herë në javë. Në vitin 2025 kjo shifër ka rënë në 41 për qind. Rënia është edhe më e fortë te të rinjtë. Në vitin 2012, 51 për qind e amerikanëve të moshës 18 deri në 29 vjeç kishin kontakte të rregullta me fqinjët. Sot kjo shifër ka zbritur në 25 për qind.
Ky ndryshim nuk është thjesht çështje kortezie apo zakoni social. Fqinjësia ka qenë historikisht një hapësirë ku njerëzit takojnë dikë që nuk mendon domosdoshmërisht si ata, nuk voton si ata, nuk ka të njëjtën fe, moshë apo mënyrë jetese. Kur ky kontakt zhduket, njerëzit rrezikojnë të mbyllen në komunitete më të ngushta, më të filtruar dhe më të drejtuara nga algoritmet.
Një pjesë e fajit, sipas ekspertëve të cituar nga Axios, lidhet me teknologjinë. Shtëpia është kthyer në një lloj bunkeri argëtimi. Mund të shohësh filma, të bësh pazar, të marrësh rekomandime, të punosh dhe të komunikosh pa trokitur kurrë në derën e dikujt tjetër. Kjo sjell pavarësi, por edhe izolim.
Të rinjtë preken më shumë sepse shpesh lëvizin nga një qytet në tjetrin, jetojnë mes të panjohurish dhe kanë pasur më pak mundësi të ndërtojnë aftësi komunikimi ballë për ballë, sidomos pas pandemisë dhe normalizimit të punës në distancë.
Komunitetet online mund të japin ndjesinë e shoqërisë, por nuk e zëvendësojnë dot plotësisht fqinjësinë reale. Një mik online mund të të shkruajë, por nuk të ujit lulet kur je me pushime, nuk të ndihmon të zhvendosësh mobiliet dhe nuk të vjen në ndihmë në një emergjencë. Në fund, kur njerëzit tërhiqen gjithnjë e më shumë brenda shtëpisë, dobësohet edhe ai ngjitës i padukshëm që mban gjallë komunitetet.
