Përmbledhje:
- Call center nuk janë më vetëm vend pune, por në disa raste janë kthyer në fasadën ideale të krimit financiar digjital.
- Paraja e pistë sot hyn si një reklamë online, platformë investimi dhe kompani shërbimish.
- Ekonomia gri digjitale nuk luftohet me aksione të rastit, por me hetim financiar, prova digjitale dhe gjurmim real të parave.
Call center është një nga shembujt më të qartë se si një sektor i ligjshëm mund të përdoret si maskë për një ekonomi të paligjshme. Në letra është shërbim, punësim, gjuhë të huaja, teknologji dhe eksport shërbimesh, ndërsa në praktikë, kur mungon kontrolli, mund të kthehet në një fabrikë mashtrimi financiar, ku viktima ndodhet në një shtet tjetër, serveri në një juridiksion tjetër, paratë kalojnë përmes bankave ose kriptomonedhave dhe operatori në telefon është vetëm hallka më e dukshme por edhe më e dobët e zinxhirit.
Kjo është arsyeja pse debati për call center nuk duhet parë si luftë kundër një industrie, por si luftë kundër kriminalizimit të kësaj industrie.
Shqipëria ka nevojë për shërbime digjitale, për punë të reja dhe për kompani që operojnë ndërkombëtarisht dhe pikërisht sepse ky sektor ka këtë potencial ekonomik, ai nuk mund të lihet të përdoret nga skema forex të palicencuar, kripto të rreme, platforma që zhduken pas depozitës së parë dhe këshilltarë financiarë që në fakt nuk këshillojnë, por manipulojnë.
Strategjia Kombëtare kundër Krimit të Organizuar 2026 – 2030 përmend shërbimet telematike, pra edhe call center, ndër sektorët ekonomikë të përdorur për pastrim parash, bashkë me ndërtimin, pasuritë e paluajtshme, tregtinë dhe konsulencën ekonomike e ligjore. Po aty evidentohet edhe rreziku nga mashtrimet kompjuterike, platformat investuese të palicencuara, transfertat ndërkombëtare, kriptomonedhat dhe skemat e marketingut online. Kjo e bën fenomenin jo thjesht çështje policore, por çështje të sigurisë ekonomike, të konkurrencës së ndershme dhe të integritetit të tregut.
Europol dhe Eurojust kanë dokumentuar disa goditje ndërkombëtare ndaj rrjeteve të mashtrimit përmes call center. Në prill 2026, autoritetet austriake dhe shqiptare, me mbështetjen e Europol dhe Eurojust, çmontuan një skemë mashtrimi online me mbi 50 milionë euro dëme të dyshuara dhe sekuestruan rreth 900 mijë euro cash. Në vitin 2024, Operacioni Pandora goditi 12 call center që gjeneronin mijëra telefonata mashtruese në ditë dhe përfshiu autoritete nga Gjermania, Shqipëria, Bosnja, Kosova dhe Libani.
Teknikisht, modeli është i thjeshtë në sipërfaqe, por shumë i sofistikuar në prapaskenë. Viktima kapet përmes reklamave në rrjete sociale, faqeve të rreme investimi, telefonatave të ftohta ose mesazheve që imitojnë institucione serioze. Pastaj futet në një marrëdhënie besimi me një operator që prezantohet si broker dhe në fazën tjetër përdoren panele online të manipuluara, ku viktima sheh fitime fiktive. Në disa raste përdoret software për akses në distancë, që i jep mashtruesit kontroll mbi pajisjen ose transaksionet.
Këtu nis thelbi juridik. Nuk mjafton të arrestohet operatori që bën telefonatën, pasi hetimi duhet të shkojë te pronari përfitues, te kompania që faturon, te serverët, te domain-et, te reklamat online, te llogaritë ku hyjnë fondet dhe te pasuritë ku integrohen më pas. Pra, çështja nuk është vetëm mashtrim kompjuterik, por është pastrim parash.
Po në të njëjtën kohë, një call center real duhet mbrojtur, mirëpo abuzimi me këtë industri duhet çmontuar, sepse kur mashtrimi vishet si biznes, dëmi nuk matet vetëm me paratë e viktimave. Ai prish tregun, ul besimin te kompanitë reale dhe e kthen teknologjinë në alibi për paligjshmëri. Shqipëria nuk mund të ndërtojë ekonomi digjitale mbi zona gri. Ose do të kemi industri shërbimesh të pastra, të kontrolluara dhe konkurruese, ose do të lejojmë që paraja e pistë të fshihet pas kufjeve, ekraneve dhe fjalës “investim”.

