Aktualitet Editorial Sociale Te Fundit

Rrjeti si matësi i parë i ndjeshmërisë

Përmbledhje:

  • Rrjeti nuk duhet konsideruar si zhurmë periferike, sepse në këto kohë është vendi ku lind sinjali i parë social dhe ku testohet çdo ditë besimi publik.
  • Një hashtag nuk zëvendëson ligjin, por mund të tregojë momentin kur ligji humbet lidhjen me realitetin.
  • Sot pushteti nuk matet vetëm në kuti votimi , matet çdo ditë në reagimin emocional të shoqërisë online.

Në një shoqëri ku informacioni qarkullon më shpejt se pritja për një edicion lajmesh, rrjeti është kthyer në vendin ku shoqëria reagon në kohë reale. Aty shfaqet reagimi i parë ndaj një kauze, një vendimi publik apo një ngjarjeje që prek ndjeshmërinë sociale. Për këtë arsye, reagimi në rrjet nuk mund të shihet më si zhurmë periferike apo e një gjeneratë adoleshentësh, por si një matës i rëndësishëm i pulsit social.

Në një botë globaliste, një postim, një koment, një share apo një hashtag mund të tregojë nëse një çështje ka mbetur thjesht lajm apo ka hyrë realisht në nervin social. Për shumë njerëz, rrjeti është bërë mediumi i parë i mendimit. Dikur qytetari reagonte në familje, në punë apo në kafene. Sot ai reagon “publikisht” për një numër më të madh  njerëzish. Kjo nuk do të thotë se çdo reagim online është etik, i saktë, i thellë apo i drejtë. Por do të thotë se aty lind sinjali i parë social dhe në shoqëritë moderne, sinjali i parë ka rëndësi.

Nga këndvështrimi juridik, kjo është thelbësore. Ligji nuk mund të veprojë në tym, sepse nuk është vetëm tekst në letër, por mekanizëm që duhet të ruajë ekuilibrin social. Kur një vendim, një normë apo një sjellje institucionale prodhon reagim të fortë në rrjet, kjo nuk duhet lexuar automatikisht si presion i turmës, por si tregues se mund të ekzistojë një tension mes ligjshmërisë formale dhe pritshmërisë publike.

Për sa më sipër, nuk do të thotë se shteti i së drejtës nuk mund të qeveriset nga komentet. Gjykatat nuk mund të vendosin sipas hashtagëve dhe administrata nuk mund të ndryshojë kurs vetëm sepse një postim bëhet viral. Por asnjë institucion serioz nuk mund të sillet sikur reagimi qytetar në rrjet nuk ekziston. Rrjeti nuk zëvendëson ligjin apo procedurën, por tregon ku procedura mund të ketë humbur lidhjen me realitetin.

Në demokraci, pushteti nuk matet më vetëm me votë një herë në katër vjet. Ai testohet çdo ditë në hapësirën publike digjitale. Rrjeti është kthyer në një lloj referendumi të përditshëm emocional, ku qytetarët shprehin ndjeshmëri, pakënaqësi, mbështetje ose mosbesim. Kjo ndikon shpesh në “kthimin e timonit” të vendimmarrjes publike. Jo sepse shumica online ka gjithmonë të drejtë, por sepse asnjë vendimmarrje nuk qëndron gjatë kur humbet kontaktin me ndjeshmërinë sociale.

Nga këndvështrimi teknologjik, rrjeti duhet lexuar me kujdes. Platformat sociale nuk janë hapësira neutrale, etike apo të pafajshme. Ato janë sisteme teknologjike që rendisin, amplifikojnë dhe shpërndajnë reagime përmes algoritmeve. 

Kjo kërkon kulturë digjitale për t’u kuptuar. Nuk mjafton të numërosh pëlqime, komente apo shpërndarje. Duhet kuptuar kush po reagon, pse po reagon, nëse debati është organik apo nëse ka llogari të rreme me fushata të koordinuara mbështetjeje kundrejt një individi momental. 

Rrjeti është bërë forma më reale e pushtetit simbolik. Ai përcakton çfarë bëhet temë, çfarë harrohet, çfarë dënohet moralisht dhe çfarë merr mbështetje. Largimi nga rrjeti sot nuk është thjesht largim nga teknologjia, por largim nga realiteti i përditshëm ku formohen kauzat dhe besimi publik.

Matja e pulsit të opinionit publik është përdorur prej kohësh si një metodë për të kuptuar reagimin e qytetarëve ndaj ideve, politikave apo zhvillimeve të caktuara. Me konsolidimin e medias si pushteti i katërt, kjo matje realizohej përmes shtypit, gazetave, analizave dhe televizioneve. Një ide hidhej në hapësirën publike dhe më pas vëzhgohej reagimi që ajo shkaktonte në shoqëri.

Sot, ky proces ka marrë një formë të re. Pulsi qytetar matet përmes pëlqimeve, komenteve, shpërndarjeve dhe reagimeve në rrjetet sociale. Në shumë raste, ai ofron një pasqyrë edhe më të detajuar sesa format tradicionale të matjes së opinionit publik, pasi evidenton jo vetëm qëndrimet pozitive apo negative, por edhe intensitetin, shpejtësinë dhe drejtimin e reagimit kolektiv.

Nëse dikur informacioni publikohej për të testuar pulsin e shoqërisë, sot vetë ritmi i shoqërisë është i dukshëm në kohë reale. Reagimet publike shfaqen menjëherë, janë të matshme dhe të aksesueshme në çdo moment, duke e kthyer rrjetin në një nga treguesit më të menjëhershëm të ndjeshmërisë dhe perceptimit shoqëror.