ZeroDay Blog Aktualitet Gjuha e urrejtjes nuk lindi online
Aktualitet Editorial Sociale Te Fundit

Gjuha e urrejtjes nuk lindi online

Përmbledhje:

  1. Gjuha e urrejtjes online nuk është produkt i teknologjisë, por shfaqje e një kulture komunikimi ku shumë njerëz e kanë më të lehtë të poshtërojnë sesa të debatojnë.
  2. Interneti nuk e krijoi dhunën verbale, por e bëri më të dukshme dhe më të matshme, duke na detyruar të përballemi me një problem që ekzistonte edhe jashtë ekranit.
  3. Zgjidhja nuk është të fajësojmë mjetin, që në këtë rast është teknologjik, por të kërkojmë ndërhyrje logjike të pastër dhe kulturë debati.

Sa herë flasim për gjuhën e urrejtjes online, reagimi më i shpejtë është të fajësojmë teknologjinë, sikur telefoni, platforma apo rrjeti social të kenë krijuar nga hiçi dhunën verbale që shohim çdo ditë në komente, postime dhe debate publike. Ky është një shpjegim i rehatshëm, sepse e largon vëmendjen nga njeriu dhe e vendos përgjegjësinë te një mjet që nuk ka ndërgjegje, nuk ka qëllim moral dhe nuk zgjedh vetë se çfarë fjale do të përdoret kundër tjetrit.

Në të vërtetë, gjuha e urrejtjes nuk lindi me internetin. Ajo ka ekzistuar shumë përpara rrjeteve sociale, në biseda të përditshme, në politikë, në institucione, në familje dhe në çdo hapësirë ku njeriu ka mësuar ta shohë tjetrin jo si kundërshtar mendimi, por si dikë që duhet përulur, tallur, përjashtuar ose dëmtuar në dinjitet. Teknologjia në vetvete nuk shpiku racizmin, mizogjininë, përçmimin, agresivitetin apo nevojën për ta bërë dikë tjetër të ndihet më i vogël, por thjeshtë i dha këtyre sjelljeve një formë më të dukshme, më të shpejtë dhe më të dokumentueshme.

Pikërisht për këtë arsye, ta trajtosh gjuhën e urrejtjes si një problem që buron nga teknologjia është ta ngushtosh gabimisht debatin, ose për të qënë më e drejtpërdrejtë është delegim sepse nuk je i aftë të përballesh me masivitetin e problemit. Rrjeti social u krijua për të qenë vendi ku prodhohet urrejtja, por në realitet është hapësira ku ajo shfaqet me më pak filtra dhe me më pak ndrojtje. Online, shumë njerëz flasin ndryshe nga sa do të flisnin në një përballje të drejtpërdrejtë, jo sepse kanë më shumë guxim moral, por sepse distanca fizike, profili i rremë, mungesa e kontaktit me viktimën dhe bindja se nuk do të ketë pasojë të menjëhershme krijojnë një ndjesi të rreme paprekshmërie.

Në këtë pikë, problemi nuk është teknologjik në thelb, por social dhe psikologjik. Një njeri që nuk di të debatojë pa fyer, do ta bëjë këtë edhe në internet, sepse nuk di mënyrë tjetër komunikimi dhe madje përmes një tastiere e bën edhe më në mënyrë të skajshme. Një njeri që e sheh kundërshtarin si armik, do ta bartë këtë mendësi edhe në hapësirën online. Një shoqëri që e ka normalizuar talljen, përjashtimin dhe agresivitetin verbal në jetën e përditshme, nuk mund të sillet e habitur kur të njëjtat sjellje shfaqen në ekran me formë më të drejtpërdrejtë dhe më të ashpër.

Kjo nuk do të thotë se çdo fjalë e fortë, çdo kritikë e ashpër apo çdo ironi duhet të quhet gjuhë urrejtjeje. Një shoqëri demokratike ka nevojë për debat të gjallë, për kundërshtim, për satirë dhe për të drejtën e kujtdo që të shprehë edhe mendime të pakëndshme. Por një shoqëri demokratike nuk ka pse të pranojë që dhuna verbale të fshihet pas fjalës opinion. Dallimi është thelbësor, sepse kritika synon idenë, vendimin, sjelljen apo qëndrimin publik, ndërsa gjuha e urrejtjes synon ta ulë tjetrin si qenie, ta zhvlerësojë për shkak të identitetit dhe ta vendosë jashtë kufijve të respektit njerëzor.

Prandaj, në vend që ta trajtojmë teknologjinë si armikun kryesor, duhet ta shohim atë si mjet që reflekton mënyrën si ne e përdorim fjalën, pushtetin dhe lirinë. Një mikrofon mund ta bëjë zërin më të dëgjueshëm, por nuk e zgjedh ai përmbajtjen e fjalimit. Njësoj funksionon dhe për teknologjinë, një platformë mund ta bëjë më të dukshme një sjellje shoqërore, por nuk e krijon nga asgjë nevojën e individit për të poshtëruar tjetrin. Kjo është arsyeja pse fajësimi i teknologjisë shpesh shërben si shmangie nga përgjegjësia njerëzore.

I vetmi faj real që mund t’i vishet teknologjisë në këtë debat është se ajo nuk e kufizon këtë realitet vetëm te të rriturit që, teorikisht, duhet të kenë formuar gjykimin për të dalluar një mendim nga një poshtërim. Kur e njëjta gjuhë urrejtjeje, e njëjta tallje dhe e njëjta kulturë përjashtimi u shfaqet vazhdimisht edhe të miturve, problemi merr një peshë tjetër, sepse fëmijët nuk janë thjesht përdorues të vegjël të teknologjisë, por individë ende në proces formimi. Ata mësojnë duke parë, duke përsëritur dhe duke normalizuar sjelljet që u duken të zakonshme në mjedisin ku rriten. Nëse hapësira online u mëson se për të fituar vëmendje duhet të poshtërosh, për të qenë i fortë duhet të sulmosh dhe për të marrë pjesë në debat duhet të jesh agresiv, atëherë teknologjia nuk e ka krijuar urrejtjen, por ka lejuar që ajo të bëhet pjesë e edukimit informal të një brezi që duhet të formohet për të qenë më i mirë se ne, jo për të trashëguar versionin më të papërpunuar tonin.

Në fund, ajo që do duhet të na shqetësojë kur lexojmë urrejtje në internet nuk është thjesht prania e saj në një hapësirë digjitale, por fakti që ajo vjen nga njerëz realë, me mendime reale, me paragjykime reale dhe me një mungesë reale kulture debati. Ndaj, nëse duam ta luftojmë seriozisht gjuhën e urrejtjes, nuk mjafton të kritikojmë mjetin që e bën të dukshme, por duhet të merremi me njeriun dhe kulturën që e prodhon atë.

Exit mobile version